2016-12-02 19:06:00

Gjendja në Siri: Johnson, Lavrov dhe Kerry në Vatikan


Selia e Shenjtë po bën presion diplomatik për të favorizuar gjetjen e një zgjidhjeje për luftën civile në Siri, e cila zgjat tashmë prej shumë kohe, tepër, sipas Vatikanit. Shqetësuese, sidomos gjendja në Haleb, qyteti sirian, ku mbretëron dëshpërimi, për të cilën Selia e Shenjtë sensibilizon vazhdimisht opinionin publik. Kështu, gjatë dy ditëve, dje e sot, u takuan me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, përfaqësuesit e politikës së jashtme të tri aktorëve të rëndësishëm botërorë: SHBA-ve, Rusisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

         Dje, kardinali Parolin priti ministrin e jashtëm britanik, Boris Johnson, ndërsa sot, sekretarin amerikan John Kerry dhe ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov. Kerry u takua edhe me Papën Françesku. U fol për çështje ndërkombëtare, sidomos për përpjekjet për paqen, ku përfshihet kriza humanitare në Siri, dhuna në Ukrainë dhe dialogu aktual në Venezuelë. Të tre marrin pjesë në konferencën “Med dialogues”, organizuar nga Ministria e jashtme italiane dhe nga ISPI (Instituti për Studimin e Politikës Ndërkombëtare). Në takim flitet për perspektivat e zhvillimit dhe qëndrueshmërinë e Mesdheut. 








All the contents on this site are copyrighted ©.