2016-12-02 17:04:00

Atë Cantalamessa: Shpirti Shenjt na bën ta jetojmë Krishtin


“Ta shijojmë, pa u dehur, pijen e Shpirtit Shenjt”: kjo është tema e katër meditimeve të Kohës së Ardhjes, që predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Cantalamessa, filloi sot paradite në kapelën Redemptoris Mater në Vatikan, në praninë e Papës Françesku e të Kuries Romake. Në meditimin e parë, natyra e Shpirtit Shenjt, tiparet që e bashkojnë dhe e dallojnë me Atin e me Birin, ashtu siç thuhen në Besojmën e krishterë.

         Predikimet e Kohës së Ardhjes kushtuar Shpirtit Shenjt dhe aspekteve të veprimit të Tij në jetën e Kishës, shpjegoi atë Cantalamessa, hyjnë në fazën post-konciliare, që u hap në përfundim të kremtimeve të 50-vjetorit, në vitin 2015. Fazë e karakterizuar nga thellimi, integrimi dhe plotësimi i fryteve të Koncilit, në të cilin Shpirti Shenjt përfaqëson “risinë më të madhe”, megjithëse u trajtua shkarazi, pa e vënë në dukje “rolin qendror” të Vetjes së tretë të Trinisë Shenjte.

         Rrëshajët e reja për Kishën, intuitë e Shën Gjonit XXIII, konkretizohen tani, pas mëse 50 vjetësh, e jo vetëm përmes Lëvizjeve Karizmatike, dokumenteve, enciklikave dhe traktateve, por edhe me një reflektim teologjik, që ecën përkrah atij tradicional e që njihet me emrin “Teologjia e Vetjes së tretë”:

         “Ai synon ta bëjë Shpirtin Shenjt jo vetëm objektin e traktatit, që e ka si argument të vetin e që është Pneumatologjia(shkenca e shpirtit), por edhe – nëse mund të shprehemi kështu – synon ta bëjë atmosferën dhe dikimin, në të cilin zhvillohet e gjithë jeta e Kishës dhe çdo punë kërkimore teologjike,  “dritën e dogmave”, ta bëjë gjithçka nën dikimin e Shpirtit Shenjt”.

         Vetja e tretë ka të bëjë me paragrafin e tretë të Besojmës, që i kushtohet pikërisht Shpirtit Shenjt: “Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëbërës”. Atë Cantalamessa shtroi pyetjen: çfarë ka të përbashkët Shpirti Shenjt me Atin e Birin?

         “Në simbolin e Nikesë, ‘që është Zot’ do të thotë se i përket natyrës hyjnore, pra, kemi të bëjmë me deklaratën e natyrës së Shpirtit Shenjt”.

         Pra, Shpirti Shenjt ka natyrë hyjnore dhe jep “natyrë hyjnore”, domethënë na bën ta jetojmë Krishtin “përmes Pagëzimit, sakramenteve, Fjalës së Zotit, vuajtjes që pranohet në bashkim me atë të Krishtit”. Gjithnjë në Besojmë shpjegohet se “rrjedh prej Atit”, jo si breznitë, nënvizoi predikatari i Shtëpisë Papnore, por si “frymë nga goja”. Ndërsa pjesa e dytë e së njëjtës shprehje, që thotë se Shpirti Shenjt rrjedh edhe prej Birit, tregon se Ai është marrëdhënie, është vetje:

         “Është marrëdhënie ekzistuese, do të thoshin Shën Toma e Shën Augustini, është marrëdhënie, një ‘ti’, një vetje: është vetja e parë shumës, është ‘ne’-ja e Atit dhe e Birit, është nyja e bashkimit ndërmjet Atit e Birit”.

         Në Besojmë shprehet edhe veprimi karizmatik i Shpirtit Shenjt: “foli me anë të profetëve”, thuhet. Në këtë rast, shpjegoi atë Cantalamessa, kemi mungesa referimi, sepse flitet vetëm për Besëlidhjen e Vjetër e nuk tregohet si e sa Shpirti Shenjt vijon të flasë, fillimisht me Jezusin e sot, me Kishën. Ai është prani e gjallë dhe Kishat e Lindjes e të Perëndimit e kanë dëshmuar këtë, duke plotësuar pohimet, që kanë të bëjnë me natyrën e Shpirtit Shenjt. Mjafton të mendojmë për “Veni Creator”, që e këndojmë në Rrëshajët, ku gjejmë marrëdhëniet personale të Shpirtit Shenjt me shpirtin e secilit, një përmasë që i mungon Besojmës, por që është shumë e rëndësishme:

         “Njeriu do të mbetej i zhgënjyer nëse do të dëshironte të gjente në paragrafin e tretë mbi Shpirtin Shenjt, gjithçka, ose vetëm çka më të mirë nga zbulesa biblike për Të. Kjo vë në pah natyrën dhe limitet e çdo përkufizimi dogmatik. Qëllimi i tij nuk është të thotë gjithçka mbi një aspekt të fesë, por të përvijojë një perimetër, brenda të cilit duhet vendosur çdo pohim për të, i tillë, që asnjë pohim tjetër të mos e kundërshtojë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.