2016-12-01 12:46:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: të varrosim të vdekurit e të këshillojmë dyshimtarët


“Biro, derdh lot mbi të vdekurin dhe, si ai që pëson shumë, nise gjëmën, varrosja trupin sipas dokes së vendit dhe mos ia moho nderimet e varrimit” (Sir 38,16). Siç mund ta kuptoni të dashur dëgjues, sot do t’ju flasim për veprën e mëshirshme të varrosjes së të vdekurve. Është një vepër e mëshirshme trupore, të cilën do ta pasojmë me një tjetër shpirtërore, atë të këshillimit të të ndërdyshëmve apo të dyshimtarëve.

Kultura e varrosjes i ka rrënjët në besimin se ekziston një jetë përtej vdekjes. Citimi i fillimit, i marrë nga Libri i Siracidit, tregon mjaft mirë ç’mendonin hebrenjtë për varrosjen e për të vdekurin, i cili nderohej e vajtohej edhe me gjeste të jashtme e të dukshme, duke grisur rrobat, duke derdhur lot, duke shprishur flokët, duke e mbuluar kokën me hi, ose me vel. Vendi i varrosjes, në hebraisht, quhet “Beth’Olam”, shtëpia e amshimit, ose “Beth Hachayim”, shtëpia e jetës apo e të gjallëve. Pra, që në Besëlidhjen e Vjetër, shihet qartë se vdekja konsiderohej si portë për jetën e pasosur. Pritet ringjallja, siç nënvizohet në Librin e Danielit: “Një numër i madh i atyre që flejnë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur e disa për turpin e përhershëm” (12,2). E pikërisht në pritje të ringjalljes u mendua vendosja e varreve, ashtu siç është edhe sot në të gjitha varrezat hebraike: kthyer nga lindja, me qëllim që në çastin e zgjimit, secili të ringjallet me fytyrë nga Jeruzalemi.

Varri mbetej i hapur për tri ditë, sepse mendohej se shpirti i të vdekurit, për tri ditë me radhë, përpiqet të hyjë sërish në trup, por në ditën e katërt, kur trupi fillon  e kompozohet, shpirti largohet. Vërtet, në Shkrimin Shenjt, dita e tretë përmendet shpesh, si për shembull, nga Osea profet: “Pas dy ditësh do të na e kthejë jetën, të tretën ditë do të na çojë në këmbë, do të jetojmë në praninë e tij” (Os 6,2). Talmudi (tekst i shenjtë i hebrenjve, pas Biblës) e konsideron varrosjen dhe kujdesin për të vdekurit si vepër mirësie, për të cilën Zoti i shpërblen njerëzit në këtë e në atë botë, madje, është vepra më e madhe e mirësisë, sepse bëhet për dikë, që nuk mund të ta shpërblejë.

Në Besëlidhjen e Re zhduken shenjat e zisë personale dhe ato të bashkësisë janë më pak të pranishme, më të matura, jo shumë të dukshme. Natyrisht, të krishterët e kanë gjithnjë parasysh gjestin e Jozefit të Arimatesë, i cili siguroi një varr për Krishtin. Edhe sot, vijojnë të kujdesen për të vdekurit për të treguar pikërisht besimin e tyre në ringjalljen e trupit. Shpresa e të krishterëve para vdekjes rrjedh nga premtimi i vetë Jezu Krishtit: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. E kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë” (Gjn 11,25-26).

Siç thuhet në Katekizmin e Kishës Katolike: “Me vdekjen, ndarjen e shpirtit nga korpi, trupi i njeriut korruptohet, ndërsa shpirti i tij shkon të takojë Zotin, megjithëse pret të bashkohet me korpin e vet në lavdi. Zoti i Gjithpushtetshëm do t’ua kthejë përfundimisht jetën e pakorruptueshme trupave tanë, duke i bashkuar me shpirtrat, në sajë të ringjalljes së Jezusit” (n.997).

Një nga fjalët e urta të Shkrimit Shenjt thotë se “shpëtimi është në këshilltarët e shumtë” (Fu 11,14). Siç e thamë më parë, të krishterët shpresojnë edhe para vdekjes, në sajë të premtimit të Jezusit, por duhet edhe të kujdesen ta kalojnë jetën në mënyrë të tillë, që të dalim pa frikë në Gjyqin e Mbramë. Nganjëherë, dyshojmë nëse rruga e jetës shkon kah e mira e kah plani i Zotit për ne, prandaj, në këto raste, na duhet një këshillë. E këshillimi i dyshimtarëve është një nga veprat shpirtërore të mëshirës.

Këshilla është rruga që të çon në njohjen e së vërtetës dhe e vërteta të çon drejt Zotit. Ai që jep këshilla duhet të jetë i aftë të tregojë udhën e drejtë, përndryshe dyshimtari nuk do të jetë në gjendje të marrë vendimin e duhur. Jo të gjithë e kanë këtë aftësi. Këshilla e mirë vjen kur ia do të mirën tjetrit, por në botën e sotme ka mësues të këqinj të çdo lloji, që pretendojnë se dinë gjithçka, por shpesh, duke theksuar tej mase lirinë e individit, e shtyjnë dyshimtarin të ndërmarrë rrugë, që e largojnë nga Zoti dhe nga e mira. Si duhet zgjedhur pra këshilltari?

Në Shkrimin Shenjt përvijohet figura e të urtit, që nuk është as kryetar, as meshtar, as mësues, por njeri, që e njeh dhe ka përvojën e Hyjit, e di se Zoti drejton çdo gjë me mëshirën e vet të pafundme dhe se njeriut i shpëtojnë shumë gjëra, sepse dija e Zotit, siç thotë psalmisti, është “e mrekullueshme për mua, tepër e lartë, s’jam në gjendje t’ia arrij” (Ps 139,6). Zoti i përgjigjet kësaj kërkese për ta njohur të vërtetën, me dhuratën e këshillës, por duke e lënë njeriun të lirë. Prandaj, udha drejt së vërtetës nuk është pa rrezik, sepse liria zgjon dyshimin, prandaj është mirë të dëgjohen këshillat e atyre njerëzve të Zotit, që kanë arritur një farë maturie në fe e që vetë Hyji na i vë përkrah në çastet e pasigurisë. E megjithatë, siç thuhet në Librin e Siracidit, duhet pasur kujdes, sepse “çdo këshilltar jep këshilla, por ka këshilltar që këshillon për të mirën e vet. Ruhu prej atij që të jep këshilla, më parë heto ç’nevojë mund të ketë – sepse ai jep këshillë në interes të vet – ndoshta ta ka vënë syrin” (Sir 37,8-10).

         Këshilltari i vërtetë është i drejtë në veprime, i shndritur kur flet e zbulon gjërat e Qiellit. Ai i drejtohet Zotit për të marrë si dhuratë dritën e brendshme me të cilën mund të shndrisë njerëzit e tjerë, që të marrin vendime sipas planit të Hyjit. E këshilltari më i mirë është pa dyshim, Krishti. Jezusi u zbuloi dishepujve të vet rrugën, që çon tek Ati Qiellor dhe u dha tyre këshilla si ta përshkojnë. Me vdekjen e Tij, ata i kapi frika e dyshimi, por Zoti u dërgoi Shpirtin Shenjt, që u hapi mendjen e zemrën. Kështu bën edhe sot me njeriun, që të dijë t’i shohë frytet e një vendimi të marrë sipas planit hyjnor. Fryti i parë është paqja e zemrës; i dyti, bekimi, që Zoti i rezervon njeriut të drejtë: “është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh, e cila frytin e vet e jep në stinë dhe gjethet kurrë s’i vyshken: i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë” (Ps 1,3).








All the contents on this site are copyrighted ©.