2016-12-01 13:24:00

Papa: t’i njohim rezistencat ndaj hirit të Zotit. Jo transformizmit shpirtëror


Të gjithë kemi në zemër rezistencë a kundërshti ndaj hirit të Zotit: duhet ta zbulojmë e të kërkojnë ndihmën e Zotit, duke pranuar se jemi mëkatarë. Ky këshilli i Papës Françeskut në homelinë e Meshës së mëngjesit kremtuar në shtëpinë Shën Marta në Vatikan, në javën e parë të kohës liturgjike të Ardhjes. Ati i Shenjtë Françesku u ndal te rezistencat e fshehta të fjalëve të kota e të zbrazëta, justifikuese a akuzuese. Papa tërhoqi vëmendjen të ruhemi nga “gattopardizmi shpirtëror” – do të thotë nga “transformizmi shpirtëror” i atij që thotë se gjithçka ndryshon, për të mos ndryshuar pastaj asgjë.

“Hiri yt fiton mbi kundërshtitë e mëkatit”. Nga kjo lutje e Meshës së sotme nis homelia e Papës për t’u përqendruar pastaj mbi rezistencat, të cilat duhet kapërcyer për të shkuar përpara, rezistenca që ekzistojnë gjithmonë në jetën e krishterë. Papa Françesku dallon disa lloje të ndryshme të rezistencave. Kemi “rezistencë të hapur, që lind nga vullneti i mirë” si ajo e Saulit që rezistonte ndaj hirit të Zotit, por “ ishte i bindur se po bënte vullnetin e Zotit”. Është vetë Jezusi që i thotë Saulit të ndalet e të konvertohet. “Rezistencat e hapura, të dukshme janë të shëndosha”, në kuptimin se “janë të hapura ndaj hirit të Zotit për t’u konvertuar”. E në të vërtetë të gjithë jemi mëkatarë.

Për Papën, përkundrazi, “rezistenca e fshehur” është më e rrezikshme sepse tinëzare. “Çdokush prej nesh ka stilin e vet të rezistencës së fshehur ndaj hirit të Zotit”. Mirëpo duhet ta gjejmë, duhet ta zbulojmë “e ta vëmë para Zotit, kështu që Ai të na pastrojë”.  Është rezistenca për të cilën Shtjefni akuzonte Doktorët e Ligjit: rezistonin ndaj Shpirtit Shenjt Zot, ndërsa në anën tjetër, donin të dukeshin thua se ishin duke kërkuar lavdinë e Zotit. Ky pohim e denoncim i Shtjefnit i kushtoi jetën:

“Këto rezistenca të fshehura, që të gjithë i kemi,  të çfarë natyre janë?  Gjithmonë vijnë për ta ndalur procesin e konvertimit. Gjithmonë! Kur ka një proces ndryshimi në një institucion, në një familje, unë ndiej se thuhet: ‘Po, aty ka rezistencë... Po të falënderojmë Zotin! Po të mos ishte, nuk do të ishin punët e Zotit. Kur kemi këto rezistencë, është djalli që i mbjell aty, djalli ngatërron punët”, e mos të harrojmë se vetëm në përkim dhe bashkim me Zotin, punët ecin përpara e me Të çdo vështirësi mund të kapërcehet.

Papa Françesku foli pra për tre lloje rezistencash të fshehura. Ekziston rezistenca e “fjalëve boshë”. E për të shpjeguar këtë Françesku përmendi fragmentin e Ungjillit të Mateut, ku Jezusi thotë se jo kushdo që thotë “ O Zot, o Zot! do të hyjë në Mbretërinë e qiellit”. Si në Shëmbëlltyrën e dy bijve që Ati i dërgon në vresht: njëri thotë “jo” e pastaj shkon, ndërsa tjetri thotë “po” e pastaj nuk shkon:

“Të thuash po,  për gjithçkanë po, është mënyrë shumë diplomatike; ndërsa është ‘jo, jo, jo’. Ka kaq shumë fjalë: ‘Po, po, po; duhet të ndryshojë gjithçka! Po!’, ndërsa bëhet gjithçka për të mos ndryshuar asgjë, apo jo? Aty kemi transformizmin shpirtëror: ata që për gjithçka thonë po, nësa gjithçka është jo. Kjo është rezistenca e fjalëve boshe”.

Pastaj ekziston rezistenca “e fjalëve justifikuese”, e kjo do të thotë kur një person justifikohet vazhdimisht, “gjithmonë ka një arsye për të kundërshtuar”: “Jo, atë e bëra për atë”. Ku ka kaq justifikime, “nuk ka aromë të mirë të Zotit”, tha Papa, nësa nuk duhet harruar se “ka edhe erë të keqe të djallit”. “I krishteri nuk ka nevojë të justifikohet”, sqaroi Papa. Sepse “është justifikuar  nga Fjala e Zotit”. Pra bëhet fjalë për rezistencën e fjalëve “që kërkojnë justifikimin e pozicionit tim, për të mos ndjekur atë që më thotë Zoti”, shpjegoi Papa.

Pastaj kemi rezistencën e “fjalëve akuzuese”: kur akuzohen të tjerët, për të mos shikuar vetveten, kur nuk e ndjejmë nevojën për t’u konvertuar e kështu rezistojmë ndaj hirit të Zotit, siç tregon mirë Shëmbëlltyra e fariseut dhe tagrambledhësit.

Kur flasim për rezistencat, mendojmë në ato rezistenca që “kemi brenda zemrës sonë dhe i kemi çdo ditë!”. Rezistenca ndaj hirit të Zotit është shenjë  e mirë “sepse na tregon se Zoti është duke punuar në ne”. Pra, duhet “t’i flakim rezistencat, në mënyrë që hiri Zotit të shkojë përpara” e të punojë në ne.








All the contents on this site are copyrighted ©.