2016-11-30 14:29:00

Papa në audiencën e përgjithshme: sipërmarrësi që lutet për vartësit është i krishterë i mirë


Të lutesh për të gjallët e për të shuemët e t’i varrosësh të vdekurit: katekizmi i Françeskut në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën e Palit VI, iu kushtua këtyre dy veprave të mëshirës: njëra trupore e tjetra shpirtërore. Kështu e përfundoi ciklin e katekizmave kushtuar mëshirës, ndërsa në përshëndetjet përfundimtare bëri thirrje lidhur me Ditën Botërore të Sidës, e cila përkujtohet nesër, duke kërkuar që edhe më të varfërve të mos u mungonë mjekimet e nevojshme.

Katekizmat përfundojnë, “po mëshira duhet të vijojë”. Kështu i përfundoi Papa katekizmat kushtuar 14 veprave të mëshirës, duke kërkuar që tani mëshira të shprehet konkretisht në këto 14 mënyra e duke e përfunduar ciklin me dy të fundmet: të lutesh për të gjallët e të varrosësh të vdekurit!

Sipërmarrësi, që qan e lutet për vartësit e tij

Të lutesh për të gjallët e të vdekurit është vepër mëshire, që na bashkon me  shoqërinë e shenjtorëve: “Të gjithë, të gjallë e të vdekur, jemi në bashkim. Prandaj edhe lutemi për njëri-tjetrin”. E Françesku e tregoi me shembuj konkretë ç’do të thotë të lutesh për të afërmin, që nga lutja për fëmijët, deri tek ajo për të sëmurët:

“Mendoj në mënyrë të veçantë për nënat e baballarët, që i bekojnë fëmijët në mëngjes e në mbrëmje. Ky zakon vijon gjithnjë në disa familje: t’i bekosh fëmijët, domethënë të lutesh; mendoj për lutjen kushtuar njerëzve të sëmurë, kur shkojmë t’i takojmë e lutemi për ta; për ndërmjetësimin e heshtur në lutje, nganjëherë me lot në sy, në një mori situatash të vështira”.

Më pas Papa tregoi se dje, në Meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, ishte i pranishëm edhe një sipërmarrës i ri: duhet ta mbyllte fabrikën, sepse nuk mund ta mbante më, duke lënë pa punë më se 50 familje:

“Mund të deklaroj falimentimin e ndërmarrjes e të shkoj në shtëpi me paratë e mia, por nuk më bën zemra! Zemra ime do të qajë gjithë jetën për këto 50 familje’, thoshte me lot në sy. Ky është njeri që di të lutet, me zemër e me fakte, di të lutet për të afërmin. Është situatë e vështirë. Po ai nuk kërkon shtegun më të shkurtër, më të lehtë. Nuk mendon kurrë që në këtë situatë secili duhet të shpëtojë vetveten. Ky është i krishterë! Më bën shumë mirë kur e dëgjoj. E ndoshta ka edhe të tjerë si ky, sot, në këtë çast, kur një mori njerëzish vuan për mungesë pune”.

Të lutesh për të tjerët e ta falënderosh Zotin kur dëgjon lajme të bukura  për kolegët, miqtë; ta falënderosh Zotin kur punët u shkojnë mbarë e mirë!

Të lutemi të bëhet vullneti i Zotit, me zemër të hapur për Shpirtin Shenjt

Papa kujtoi se nuk jemi ne, që lutemi, por Shpirti Shenjt, që lutet brenda nesh e na nxit të kërkojmë të bëhet gjithnjë vullneti i Zotit, e mira e një Ati, që nuk na braktis kurrë:

“Të lutemi e ta lëmë Shpirtin Shenjt të lutet në ne. Kjo është e bukura në jetë: të lutesh duke e falënderuar, duke e lavdëruar Zotin, duke i kërkuar diçka, e duke qarë, kur jemi para ndonjë vështirësie, si qante ky burri. Po zemra duhet të jetë gjithnjë e hapur për Shpirtin Shenjt, që të lutet në ne, me ne e për ne”.

Të lutemi për të  shuemët me shpresën e krishterë të Parrizit

Të lutesh për të shuemët është shenjë mirënjohjeje ndaj dëshmisë që na lanë. Lutemi me shpresën e krishterë se tashmë janë me Zotin në Parriz, në pritje të ritakohemi me ta në këtë mister dashurie, që nuk e kuptojmë, por që e dimë se është i vërtetë, sepse premtim i bërë nga vetë Jezusi. Të gjithë do të ringjallemi e të gjithë do të jemi përherë me Jezusin – pohoi Françesku.

Edhe sot rrezikohet jeta, për të varrosur të vdekurit

Është, pastaj vepra e fundit e mëshirës, që të kujton se duhet t’i varrosësh të vdekurit. Mund të duket një porosi e çuditshme - vërejti Françesku – por në disa zona të botës, që jetojnë në kushte lufte, me bomba mbi kokë natë-ditë, kjo vepër mëshire është tragjikisht aktuale. Mjafton të mendosh për personazhin biblik të Tobit, që i varroste të vdekurit, duke rrezikuar jetën e vet, pa e marrë fare parasysh urdhërin e mbretit për t’i lënë të kalbeshin për tmerr mbi dhe:

“Edhe sot ka nga ata, që e rrezikojnë jetën  për t’i dhënë viktimave të luftës një varr, ku të mund të prehen më në fund të qetë. Prej këndej mund të themi se kjo vepër trupore e mëshirës nuk është shumë larg nga jeta jonë e përditshme”.

Kjo na kujton edhe atë që ndodhi me vdekjen e Jezusit: çastin kur Jozefi i Arimatesë ofroi për të një varr të ri, duke shkuar personalisht tek Pilati  për t’i kërkuar korpin e Krishtit. Ishte një vepër mëshire e bërë me guxim të madh – nënvizoi Papa. - Për të krishterët - vijoi - varrimi është akt dhembshurie, por edhe vepër e madhe feje. Vepër që ndjehet fort nga populli ynë, i cili i varros trupat e të dashurve, me shpresën e ringjalljes së tyre”.

Françesku e përfundoi katekizmin kushtuar mëshirës, duke kërkuar përsëri që veprat e mëshirës trupore e shpirtërore të bëhen gjithnjë më shumë stil i jetës sonë.

Thirrja e Papës për Ditën Botërore kundër Sidës

Në përshëndetjet përfundimtare, Papa kujtoi se nesër bie Dita Botërore  kundër Sidës, themeluar nga OKB-ja dhe bëri thirrje, duke nënvizuar se miliona njerëz janë të prekur nga kjo sëmundje, por vetëm gjysma mund t’i sigurojë ilaçet e domosdoshme për shpëtimin e jetës:

“Ju ftoj të luteni për ta e për të dashurit e tyre e të jeni solidarë  që edhe më të varfërve të mos u mungojë mundësia për t’u diagnostikuar e për të  marrë mjekimet e nevojshme. Bëj thirrje, së fundi, që të gjithë të sillen me përgjegjësi, për ta parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.