2016-11-30 14:39:00

Papa Françesku inkurajon thirrjet e reja: të dalim nga vetvetja


U bë i njohur sot Mesazhi i Papës Françesku për Ditën e 54-t Botërore të lutjes për thirrjet meshtarake e rregulltare, që do të kremtohet më 7 majin e ardhshëm. Në dokument, Ati i Shenjtë ndalet në aspektet, që e karakterizojnë thirrjen e Zotit.

Që në fillim, sqaron se Hyji na fton “të dalim nga vetvetja” e ta lemë Shpirtin Shenjt të na udhëheqë, nëse duam ta dëgjojmë zërin e Tij. Kjo përvojë duhet jetuar brenda bashkësisë kishtare, vend i privilegjuar ku lind, ushqehet e shprehet thirrja për t’iu kushtuar krejtësisht Zotit. Ata që janë tërhequr nga zëri i Hyjit e janë vënë për udhë pas gjurmëve të Jezusit, shkruan Papa, zbulojnë shpejt, brenda vetes, dëshirën e papërmbajtshme t’ua çojnë Lajmin e Mirë të Ungjillit vëllezërve, përmes ungjillëzimit dhe shërbimit. “Gëzimi i Ungjillit, që mbush jetën e bashkësisë së dishepujve – shkruan Ati i Shenjtë, duke cituar Enciklikën ‘Evangelii Gaudium’ – është gëzim misionar”.

Marrëdhëniet me Zotin, vijon Papa, nënkuptojnë nisjen për në botë si profetë të Fjalës së Tij e si dëshmitarë të dashurisë së Tij. Vetë Hyji na ndihmon ta përballojmë këtë udhë, pavarësisht nga brishtësia, pesimizmi, ndjenja se jemi të papërshtatshëm, sepse, në sajë të Pagëzimit, çdo i krishterë mund t’u çojë Krishtin vëllezërve të vet. E kjo, thekson Ati i Shenjtë, vlen veçanërisht për ata, që janë të thirrur në një jetë të shuguruar të veçantë e, edhe për meshtarët, të cilët, me bujari, besim e qetësi, janë përgjigjur: “Ja ku jam, o Zot, më dërgo mua!”.

Duke u nisur nga tri pjesë ungjillore, Papa Françesku shpjegon ç’do të thotë të jesh dishepull misionar. Së pari, ashtu si Krishti, të shkosh drejt vëllezërve dhe t’u kumtosh Fjalën e Hyjit, duke u bërë për ta mjet shëlbimi. Pastaj, ta ndjesh praninë e gjallë të Jezusit, që vazhdon të ecë përkrah dishepujve të vet, ashtu si në Emaus, që e ndan me ta misionin, duke i bërë më të lehta çastet e shkurajimit. Së fundi, pohon Papa Françesku, ta shohësh plot besim Zotin, i cili i kapërcen shpresat tona e na befason me bujarinë e Tij, duke bërë të piqen frytet e punës sonë edhe më mirë nga sa e kemi menduar e llogaritur. Nuk duhet të mungojë lutja, e vazhdueshme, kundruese; duhet dëgjuar Fjala e Zotit e duhet të kujdesemi për marrëdhëniet personale me Hyjin përmes adhurimit eukaristik.

Papa Françesku i inkurajon të gjithë të jenë miq intimë me Zotin, të cilit i lutet për thirrje të reja në meshtari e në jetën rregulltare. Populli i Zotit ka nevojë të drejtohet nga barinj, që e kalojnë jetën në shërbim të Ungjillit, të dashuruar me Ungjillin, shenjë e gjallë e dashurisë së mëshirshme të Hyjit. Së fundi, Ati i Shenjtë u flet të rinjve: “Para ndjesisë së përhapur së një feje të lodhur, të rinjtë kanë dëshirë të zbulojnë bukurinë gjithnjë aktuale të figurës së Jezusit, të ngrenë pikëpytje e të provokohen nga fjalët e gjestet e Tij dhe të ëndërrojnë një jetë plotësisht njerëzore, që me kënaqësi, vihet në shërbim të dashurisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.