2016-11-30 12:48:00

Papa bekon “Silence”, filmin e Martin Scorsese


Mbrëmë, premiera e filmit të ri të regjisorit amerikan Martin Scorsese, “Silence” (Heshtja), në Institutin Papnor Lindor në Romë. Në të tregohet persekutimi i tre jezuitëve portugezë në Japoninë e shekullit të 17-të. Sot, vetë regjisori i njohur u takua me Papën Françesku në Pallatin Apostolik.

Audienca private dhe zgjedhja e ateneut prestigjioz për projektimin e filmit vulosën kështu, bashkëpunimin e Kishës Katolike e në veçanti, të Shoqërisë së Jezusit, me xhirimin e kësaj historie, në të cilën ritregohet me art klandestiniteti i përjetuar nga jezuitët në Japoni, ku persekutoheshin nga samurai Hideyoshi dhe ndjekësit e tij, sepse donin të përhapnin krishterimin.

Për punën e Martin Scorsese-s dhanë një kontribut të rëndësishëm jezuitët e Tajvanit, ku është xhiruar filmi. Në veçanti, atë Antoni Ucer-ler, jezuit dhe pedagog i historisë japoneze në Universitetin Sofia të Tokios, u mor si këshilltar nga regjisori për aspektet historike dhe për detajet e misionit të jezuitëve në epokën e ngjarjeve të filmit.

Skenari i filmit bazohet në romanin e shkrimtarit katolik japonez, Shusaku Endo, i cili ka ndërruar jetë para 20 vjetësh, më 29 nëntor 1996. Në të përshkruhet persekutimi perandorak, i cili bëri të lindë fenomeni i “kirishitan”-ëve, i të krishterëve të fshehur, gjatë shekullit XVII. Pas disa dhjetëvjeçarësh, ata dolën sërish haptazi, duke treguar se e kishin ruajtur fenë, megjithëse pa kler a pa asnjë lloj ndihme fetare, përveçse trashëgimit të saj nga prindërit tek bijtë, ashtu siç ndodhi edhe në Shqipërinë komuniste. Një fenomen shumë i dashur për Papën Françesku, i cili, në të ri, ëndërronte të shkonte misionar në vendin aziatik. Mëse një herë, Ati i Shenjtë i ka përmendur të krishterët japonezë si shembull për t’u ndjekur.

Ndërkaq, njëkohësisht me daljen e filmit “Silence”, po këtë vit, në Japoni kremtohet 150-vjetori i zbulimit të kirishtanëve, historia e të cilëve u nxorr në dritë nga një misionar francez MEP i Shoqërisë së Parisit për misionet e jashtme, që është e përhapur kryesisht në vendet aziatike.








All the contents on this site are copyrighted ©.