2016-11-30 16:03:00

Ardhja: pritje, nostalgji, shpresë


Kemi hyrë në Vitin e ri liturgjik, prandaj, Kisha na fton të përgatitemi për ardhjen e Zotit me frymën e vigjilencës, që askush të mos rrezikojë ta shtyjë kthimin personal e ta vonojë takimin e gëzueshëm me Zotin.

Ardhja do të thotë sigurisht ardhje, por do të thotë edhe pritje. Siç na kujton Krishtlindja, në misterin e Mishërimit, Zoti vjen përherë, e akoma duhet të vijë në jetën e secilit. Brenda nesh ka një hapësirë ekzistenciale ku mungon prania e Tij: “erdhi ndër të vetët,/ e të tijtë nuk e pranuan” (Gjn 1,11). Jezusi akoma “është tek porta e troket” (khr Vp 3,20). Po a do të dijë zemra jonë t’ia hapë derën?

Gjatë kohës së Ardhjes duhet të jemi vigjilentë, në lutje, në një pritje që bashkon uratën e nostalgjinë, që ushqen kërkimin me shpirt të Zotit dhe shpresën. Ardhja është një kohë e fortë e vitit liturgjik të Kishës, mirëpo njëkohësisht është edhe tipar i tërë jetës sonë. Vetë jeta jonë është ecje, këndej është Ardhje. Jezusi është “Ai që është, që ishte dhe që po vjen” (khr Zb 1,8), pra vjen përherë, nuk përfundon kurrë së ardhuri.

Ne e dëshirojmë ardhjen e tij, ndërsa ndërgjegjësohemi për mungesën e Ungjillit në ekzistencën tonë: Jezusi nuk është i pranishëm, pra mungon, jo pse Ai do që të mos jetë i pranishëm, por për arsye se ne e kemi refuzuar. Marisë nga Magdala Jezusi i Gjallë i kërkon: “Grua, pse qan? Kë po kërkon?” (Gjn 20,15). E ajo, engjëjve u pati thënë: “ E morën Zotërinë tim e nuk di ku e vunë” (Gjn 20,13).

Edhe ne mund të themi: e mori Zotërinë tim kjo shoqëria jonë e shkristianizuar. E unë e kërkoj, e kërkoj me afsh, e kërkoj me pasion. E kërkoj e derdh lot për mungesën e tij të dhimbshme. Prandaj, Ardhja është një kërkim i thellë i Krishtit, është thirrje mallëngjyese, përmes uratës, që Ai të vijë; e me të krishterët e parë, të lutemi edhe ne: “Eja, o Zot, Jezus!” (Zb 22,20).








All the contents on this site are copyrighted ©.