2016-11-29 15:26:00

Unicef: në Siri, gjysëm milion fëmijë në rrezik


Vazhdojnë luftimet në Haleb të Sirisë, ku forcat qeveritare të Bashar al Asadit po marrin një e nga një në dorë lagjet e qytetit, deri tani, nën komandën e rebelëve. Fatkeqësisht, gjendja humanitare e popullsisë, e detyruar të shpërngulet për shkak të luftimeve të ashpra, është keqësuar jashtëzakonisht. Sot, ministri i jashtëm francez kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së pikërisht për të përballuar këtë katastrofë. Nga të gjitha anët nënvizohet se gjendja është “alarmuese dhe e frikshme”. Deri tani, gati 10 mijë vetë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm gjatë fundjavës së kaluar, drejt zonave të kontrolluara nga besnikët e qeverisë, ose nga peshmergët kurdë. E Unicef-i denoncon keqësimin e emergjencës së fëmijëve. Numri i atyre që jetojnë nën rrethim është dyfishuar në më pak se një vit. Të dëgjojmë zëdhënësin e Unicef-it për Italinë, Andrea Iacomini:

Kemi 500 mijë fëmijë, që jetojnë në 16 zona të rrethuara, praktikisht, në gjithë vendin, jashtë mundësisë për ndihma humanitare e shërbime të domosdoshme. Për miliona civilë, jo vetëm fëmijë, jeta është kthyer në ferr. Të vegjlit vriten, plagosen e kanë frikë të shkojnë në shkollë, ose edhe thjesht, të luajnë. Jetojnë me pak ushqim, gati me asnjë lloj ilaçi e në disa zona, detyrohen të ushqehen me bimë, gjethe, ose edhe me cofëtina, fatkeqësisht. Ka bashkësi që kanë marrë shumë pak ndihma dy vjetët e fundit. Në Halebin lindor vlerësojmë se rreth 100 mijë fëmijë jetojnë në rrethim. E shpesh jetojnë e luajnë nën dhe, në shkolla o në spitale. Ky konflikt po hyn në vitin e tij të gjashtë e kemi bërë sërish thirrje për të gjitha palët, që t’i heqin këto rrethime kudo në Siri, për të lejuar të paktën hyrjen e ndihmave humanitare pa kushte në vend.

         Cilat janë rreziqet më të mëdha për fëmijët?

         Nëse luajnë jashtë, apo në zonat e bombarduara, hasin në rrezikun e minave, të bombave të pashpërthyera. Gjithashtu, ka rrezik të bombardohen kur janë në shkollë. Tashmë, në këtë luftë nuk pyetet më për asgjë. Bombardohen pa dallim shkolla, spitale e madje, edhe ndihmat. Nuk ka vende të sigurta. Veprimtarët tanë na tregojnë se ka bodrume, që i kanë lidhur me njëri-tjetrin, duke krijuar parqe lojrash nën dhe për fëmijët. I frekuentojnë së paku 200 fëmijë në ditë. E ka shkolla që kështu bëjnë edhe leksionet për fëmijët, nën dhe. Gjendja është vërtet e tmerrshme.

Gjatë këtyre orëve, në rrjetet shoqërore po bën bujë tweet-i i një vajze siriane, Bana Alabed, e cila, me ndihmën e së ëmës, tregon se në Haleb gjendja është dramatike, ka shumë bombardime. “Jemi ndërmjet jetës dhe vdekjes”, thotë…

Nuk duhen gjë fotografitë, nuk duhen gjë tweet-et, nuk kemi nevojë për imazhe e indinjata të një dite më pas, që zgjasin sa çudia e tri ditëve. Është e nevojshme përpjekja e bashkësisë ndërkombëtare, ndërgjegjësimi për ç’po ndodh, për ngjarjet më të tmerrshme pas Luftës II Botërore, edhe më keq nga Bosnja. Duhen fakte, duhet një rrugë që të çojë drejt paqes konkrete. Por fatkeqësisht, paqja do të thotë zgjidhje e bashkësia ndërkombëtare nuk ka zgjidhje në këtë çast. Jemi të gjithë përgjegjës për këtë katastrofë e për këtë masakër. Zëri i kësaj vajze të vogël është vetëm i fundmi i zërave që, prej gjashtë vjetësh, ngrihen çdo ditë nga miliona fëmijë.








All the contents on this site are copyrighted ©.