2016-11-28 14:59:00

Papa shkencëtarëve: duhet sistemi normativ, për mbrojtjen e krijimit


Në audiencën me plenaren e Akademisë Papnore të Shkencave, që u hap në Vatikan më 25 nëntor e do të përfundojë nesër, Françesku i nxiti shkencëtarët që punojnë të lirë nga interesat, të gjejnë rrugëzgjidhje për krizën e planetit, para se format e reja të pushtetit, rrjedhojë e paradigmës tekno-ekonomike, të prodhojnë dëme të paprapsueshme.

Po  krijohet një besëlidhje ndërmjet bashkësisë shkencore e bashkësisë së krishterë, për ta mbrojtur shtëpinë e përbashkët të kërcënuar nga “kolapsi ekologjik” e, si pasojë, edhe nga  thellimi i përjashtimit shoqëror. U nis nga ky mendim, fjalimi i Papës mbi një temë tejet të rëndësishme për të, së cilës i kushtoi edhe Enciklikën “Lëvduar qofsh". 

Papa denoncoi reagimin e dobët të politikës ndërkombëtare – ndonëse me përjashtime të lavdërueshme – lidhur me dëshirën konkrete për të kërkuar të mirën e përbashkët e të mirat universale; e jo më pak, lehtësinë me të cilën shpërfillen këshillat e bazuara të shkencës për gjendjen alarmante të planetit. Nënshtrimi i politikës para teknologjisë e financës, që kërkojnë sidomos fitimin  - vërejti Papa - u duk edhe në shkujdesjen ose në vonesën  e zbatimit të marrëveshjeve botërore mbi ambientin, e jo më pak, në luftërat e vazhdueshme për sundim, maskuar pas fjalëve fisnike, që i shkaktojnë dëme gjithnjë më të rënda ambientit dhe pasurisë morale e kulturore të popujve.

Në kohët moderne – vërejti akoma Françesku – u rritëm duke menduar se jemi pronarë e zotërinj të natyrës, të autorizuar ta plaçkisim mbarë e prapë, pa i përfillur fare fuqitë e saj të fshehta e ligjet evolutive, si të ishte fjala për një material të palëvizshëm, në dispozicionin tonë, duke shkaktuar, kështu, edhe humbjen e rëndë të biolarmisë së planetit e të jetës së njeriut, që jeton në të:

“Kthesa ekologjike, e aftë për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm, përfshin në mënyrë të pandarshme si pranimin e përgjegjësisë sonë të plotë njerëzore ndaj krijimit e burimeve të tij, ashtu edhe kërkimin e  drejtësisë shoqërore dhe kapërcimin e një sistemi të padrejtë, që prodhon mjerim, pabarazi e përjashtim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.