2016-11-28 14:55:00

Papa: 25 minuta bisedë me kryeministrin irlandez Kenny


Zgjati 25 minuta biseda private e Papës Françesku me kryeministrin irlandez, Enda Kenny, të cilin e priti së bashku me tetë vetë të delegacionit, në praninë e një përkthyesi. Ati i Shenjtë u takua me të në bibliotekën papnore.

         Gjatë bisedës, informon nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit, iu bë jehonë “lidhjes historike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Irlandës” dhe “u nënvizua kontributi i vazhdueshëm i Kishës Katolike në fushën shoqërore dhe edukative”. U fol për “rëndësinë e rolit të të krishtërëve në hapësirën publike, sidomos në promovimin e respektit për dinjitetin e çdo njeriu, duke filluar nga ata më të dobtit e më të pambrojturit”.

         Biseda, vijon komunikata, “vazhdoi me një shkëmbim mendimesh mbi Evropën, duke iu referuar sidomos fenomenit të emigracionit, punësimit të rinisë dhe sfidave kryesore të kontinentit, nga pikpamja politike dhe institucionale”.








All the contents on this site are copyrighted ©.