2016-11-27 16:50:00

Ungjilli sipas Rainer Maria Rilke


Poeti i madh bohem i gjuhës gjermane, Rilke jetoi për ca kohë në Paris. Për të shkuar në universitet, përshkonte ditë për ditë, në shoqëri me mikeshën e tij franceze, një rrugë shumë të rrahun. Në një nga skutat e saj shihej përherë një lypëse me dorë shtrirë drejt kalimtarëve. Ishte aty. Për ditë. E palëvizshme, si  shtatore. Me dorë shtrirë e sy ngulur në të njëjtën pikë, përdhe. Rikle nuk i jepte kurrë lëmoshë. Ndërsa shoqja, që ecte përkrah tij, ndalej shpesh e i lëshonte ndonjë grosh të hollë në shuplakë. Një ditë vajza pariziane, e çuditur, e pyeti Poetin: “Si është e mundur që nuk ndalesh kurrë për t’i dhënë të paktën një kacidhe kësaj gruaje të mjerë, gjithnjë në pritje të mëshirës sonë, pa e lypur?”.

“Duhet t’i dhurojmë diçka zemrës së saj, jo dorës” - gjegji Poeti. Të nesërmen Rilke u duk në rrugën e zakonshme me një gonxhe mahnitëse, të saposhpërthyer trëndafili në dorë, ia lëshoi lypses në prehër e deshi të vijonte rrugën. Por atë çast ndodhi diçka krejt e papritur: lypsarja ngriti sytë, ia nguli Poetit, u çua në këmbë, ia mori dorën e ia puthi fort, fort. Pa asnjë fjalë! Pastaj u kthye përsëri në skutën e saj, me sy ulur, me trëndafilin shtrënguar ëmbël pas kraharorit të shterrur.

Një javë rresht nuk u duk më në skutën e zakonshme. Por, tetë ditë më pas, ishte përsëri aty, e ulur në të njëjtën skutë. E heshtur dhe e ngrirë, si të ishte shtatorja e mjerimit!

“Me çka do të ketë jetuar gjithë këto ditë, që nuk doli për të lypur, si zakonisht?”- e pyeti pariziania e re Poetin.

“Me trëndafilin” – u përgjigj Rilke.  








All the contents on this site are copyrighted ©.