2016-11-27 13:58:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: mos t’ju sundojnë sendet materiale e siguritë e kësaj bote!


Në të Dielën e parë të Kohës së Ardhjes Papa, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, i porositi besimtarët të mos sundohen nga sendet e kësaj bote e të mos varen nga siguritë e tyre, sepse Zoti vjen kur nuk e pret! Pas lutjes mariane, mendimi i Françeskut shkoi tek popullsitë e Qendrës së Amerikës - dëmtuar këto ditë nga urgani Otto e edhe nga tërmeti - si dhe tek popullsitë e Veriut të Italisë.

Zoti e viziton njerëzimin në tri kohë: kështu e nisi Papa komentin e Ungjillit të së dielës. Herën e parë e vizitoi me mishërimin; të dytën, vjen me praninë e Tij ditë për ditë; të tretën do të vijë përsëri në mbarimin e kohëve:

“Ungjilli nuk dëshiron të na trembë, por të na hapë horizontin e përmasës së fundme, më të madhes, e cila nga njëra anë i relativizon sendet e përditshme, e nga ana tjetër, i bën tejet të çmuara e vendimtare”.

Marrëdhënia me Zotin-që-vjen-të-na-vizitojë - vërejti Françesku - i jep çdo gjesti, çdo gjëje, një dritë të veçantë. I jep hapësirë. Frymëmarrje. I jep vlerë simbolike. E nga kjo perspektivë, vjen edhe ftesa për jetë të thjeshtë, për përkorje:

“ … që të mos na sundojnë sendet e kësaj bote, realitetet materiale, por t’i sundojmë. Nëse, përkundrazi, e lëmë veten të na kushtëzojnë e të na mposhtin, nuk do të arrijmë ta perceptojmë se është diçka shumë më me vlerë: takimi ynë i fundmë me Zotin. E kjo është gjëja më e rëndësishme”.

Në të vërtetë, ashtu si thotë Ungjilli: “dy burra do të jenë duke punuar në arë: njëri do të merret, tjetri do të lihet”.

Prej këndej, në këtë Kohë të Ardhjes, jemi të thirrur ta zgjerojmë horizontin e zemrës sonë:

“… të mrekullohemi nga jeta, që vjen ditë për ditë, me risitë e saj. Por, për ta bërë këtë, duhet të mësojmë të mos varemi nga siguritë tona, nga skemat afatgjata, sepse Zoti vjen në orën, që ne nuk arrijmë as ta përfytyrojmë. Vjen të na hapë përpara një përmasë më të bukur e më të madhe”.

Prej këndej, lutja e Papës drejtuar Zojës së Bekuar:

“Na ndihmoftë të mos besojmë se jemi  zotër të jetës sonë, të mos kundërshtojmë, kur Zoti vjen për ta ndryshuar, por të jemi gati e ta presim si mik të shumëdashur, edhe pse na i përmbys planet”.

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, një mendim i posaçëm i Françeskut:

“… dëshiroj t’i siguroj për lutjen time popullsitë e Qendrës së Amerikës, posaçërisht të Costa Rica-s  e Nikaragua-s, dëmtuar nga një uragan e, kjo e fundit, edhe nga një tërmet i fortë. E lutem edhe për popullsitë e Veriut të Italisë, që po vuajnë si pasojë e përmbytjeve”.

Së fundi, një përshëndetje të gjithë besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, me urimin:

“Gëzuar Kohën e Ardhjes! Qoftë kohë shprese! Të shkojmë në takimin me Zotin, që vjen drejt nesh. Shpresë e vërtetë, e themeluar mbi besnikërinë e Hyjit e përgjegjësinë tonë! E, ju lutem, mos harroni ta thoni një uratë për mua. Drekën e mirë e mirupafshim!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.