Na nxitë për ditë o Zot!
Kanë tingujt e kërcënimit
Fjalët e Ungjillit tënd:
“S’e dimë as çastin, as orën!”.
E shembujt të tmerrojnë:
përmbytja e madhe e botës,
hajduti që t’thyen shtëpinë,
humbja e punës së ndershme
pa të cilën s’ka bukë në sofër…
Na nxitë për çast o Zot
edhe na porositë
të jemi gati për ditën e ardhjes sate.
Ti e di se dita e mbrame na tremb,
ndoshta pse s’dimë këtë jetë si ta jetojmë
çast për çast e orë për orë.
Po ta jetonim kështu,
do të ishim gjithnjë gati.
Sepse s’ është jeta që vlen aq,
sa vlen aftësia për ta jetuar
çast për çast, e ditë për ditë…
Për ta shijuar kështu
gëzimin që vjen prej Teje,
paqën, që vjen me Ty,
e për t’ua dhuruar dhe të tjerëve!
O Zoti im!
Na tremb dita e mbrame,
dhe pse besojmë se na do,
se i njeh ligështitë tona njerëzore,
se na shikon me mëshirë,
se nuk mendon të na dënosh,
e shtegtun na e lë gjithnjë hapur.
Nuk e dimë ditën,
kur Ti do të vish përsëri,
E di Ti vetë, për ne,
Po e dimë fort mirë
se s’duhet ta humbasim
asnjë çast e asnjë ditë
të kësaj jete, që na u fal:
Kësaj jete kaq të ndërlikuar.
Kësaj jete kaq të pasur,
kësaj loje kaq të vështirë,
që duhet luajtur plot besim,
deri në fund të fundit,
nën hije të Atit!
All the contents on this site are copyrighted ©. |