2016-11-25 11:47:00

Për herë të parë Rembrandt në Muzetë e Vatikanit: ngjarje ekumenike


U ekspozuan për herë të parë, në Vatikan, veprat e piktori të famshëm Rembrandt Harmenszoon van Rijn, artist i famshëm hollandez. Janë disa stampa e piktura, që vijnë nga Muzeu Zora i Suedisë dhe nga Koleksioni Kremer i Amsterdamit. Ekspozita hapet pas shtegtimit të Papës Françesku në Lund me synim forcimin e dialogut reciprok ndërmjet katolikëve e protestantëve. E organizuar me bashkëpunimin e ambasadave të Suedisë dhe të Vendeve të Ulëta pranë Selisë së Shenjtë, në bashkëpunim me Këshillin Papnor për bashkimin e të krishterëve,  përuruar këto ditë, mund të vizitohet deri më 26 shkurt. Të dëgjojmë profesorin Arnold Nesselrath, drejtor i departamentit të arteve në Muzetë vatikanase, në mikrofonin tonë:

Përgjigje; - Rembrandt vjen për herë të parë në Vatikan, me rastin e shtegtimit apostolik të Papës në Lund dhe takimit me bashkësinë luterane, Artist i lidhur ngushtë me botën protestante nga ana  e babait, por jo më pak, edhe me atë katolike, nga ana e nënës, ishte tejet i përshtatshëm për një ngjarje artistike me ngjyrim ekumenik, duke pasur parasysh edhe nivelin e tij artistik jashtëzakonisht të lartë ndërkombëtar.

Pyetje: - Cilat janë veprat e Rembrandt, të ekspozuara në Vatikan?

Përgjigje: – Kemi 53 stampa dhe dy pllaka, me të cilat janë bërë  këto stampa; e edhe një pikturë. Stampat janë ato që Rembrandt i shiste në mbarë Evropën  e që e bënë, në atë kohë, aq të  famshëm – deri në Itali, ku lavdërohej edhe nga Guido Ren e nga Baldinucci, pikërisht për këto stampa. Në to artisti i madh trajton argumente nga më të ndryshmet, që nga historitë biblike - e kjo është edhe një nga karakteristikat  e veprës grafike të Rembrandt, deri tek lypësit dhe njerëzit më të varfër. E pikërisht me to paraqitet para gjithë Evropës.

Pyetje: - Ç’na lë të kuptojmë Artisti i madh me këto grafika të stampuara, me tematikë biblike?

Përgjigje: - Krijojmë një përfytyrim fetar, duke pasur parasysh edhe sasinë e stampave me subjekte fetare, ndonëse nuk është ikonografi për të gjitha konfesionet. Nga stampat e artistit të madh kemi këtu atë të njëqind monedhave të florinjta, Krishtin që shëron të sëmurët dhe tre kryqet. Figura që të trondisin me bukurinë e tyre. Të bindin se Rembrandt ishte artist i ndjeshëm e plot mëshirë për të fundmit. Nuk e kërkonte bukurinë me çdo kusht, por synonte ta gjente në realitet dhe ta përjetësonte me penelin e tij të pamort, që e bëri të njohur si Mjeshtri më i madh i dritë-hijes në pikturë.  








All the contents on this site are copyrighted ©.