2016-11-25 13:12:00

Papa: dënimi i amshuar nuk është sallë torture, por largim nga Zoti


Të zgjedhësh rrugën e largimit nga Zoti, për të ecur me kryelartësi në udhën tënde, ky është dënimi i amshuar. Kështu u shpreh Papa gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Françesku i ftoi të gjithë të ruhen nga dialogu me djallin, tundues e mashtrues e t’i afrohen  takimit të  fundit me Zotin, ditës së Gjyqit, me zemër të përvuajtur.

Në këto dy ditë të fundit të Vitit Liturgjik, Kisha e përfundon reflektimin mbi fundin e botës e Papa foli pikërisht për të, duke u frymëzuar nga Leximi i Parë, shkëputur nga Zbulesa e Shën Gjonit. Si do të jetë Gjyqi i Mbramë - pyeti Papa – e takimi i fundit me Jezusin?

Djalli është mashtrues, që e rrënon jetën. Larg çdo dialogimi me të

I pari, që do të gjykohet, do të jetë “dragoi”, gjarpri i lashtë, që është djalli, të cilin Engjëlli i zbritur nga qielli e flak në humnerë, të lidhur fort me zinxhirë, që të mos i mashtrojë më popujt, sepse ai mbetet mashtrues, nënvizoi Françesku:

“Ai është mashtrues, madje edhe më shumë, është vetë babai i mashtrimit. Ai lind gënjeshtra, është batakçi i madh. Ta mbush mendjen se po ta hash mollën, bëhesh si Zoti. Ta shet, e ti e blen e në fund të mashtron, të gënjen, ta rrënon jetën. ‘Po, o Atë, si mund të bëjmë ne, që të mos e lëmë të na mashtrojë? Jezusi na mëson: ‘Mos dialogoni kurrë me djallin. Nuk dialogohet me të. Çfarë bëri Jezusi me djallin? E dëboi, e pyeti si e quajnë, por nuk dialogoi kurrë me të”.

Edhe në shkretëtirë, shtoi Papa, Jezusi nuk e thirri kurrë me emrin e tij të mirëfilltë, tejet i vetëdijshëm për rrezikun. Në tri përgjigjet, që i dha djallit, pati si mburojë fjalën e Zotit, fjalën e Biblës, prandaj, nuk duhet dialoguar kurrë me këtë gënjeshtar e batakçi, nënvizoi akoma Papa, që kërkon rrënimin tonë e që, pikërisht për këtë, do të rrokulliset në skëterrë”.

Në faqen e Zbulesës duken, pastaj, shpirtrat e martirëve, të përvuajturit, vërejti Papa, ata që e dëshmuan Jezu Krishtin e nuk e adhuruan djallin me ndjekësit e tij: paranë, mendësinë e botës, kotësitë, duke dhënë edhe jetën për të mos rënë viktima të mashtruesit.

Dënim e largim nga Zoti, jo sallë torture

Zoti do t’i gjykojë të mëdhenj e të vegjël për veprat e tyre, lexohet akoma në Librin e Zbulesës, e të dënuarit do të flaken në “pellgun e zjarrtë”. E kjo është edhe vdekja e dytë, tek e cila u ndalua Françesku:

“Dënimi i amshuar nuk është sallë torture, siç përshkruhet vdekja e dytë, është vdekje! Këta të vdekur nuk do të pranohen në Mbretërinë e Zotit, sepse nuk iu afruan Hyjit. Janë ata, që ecën gjithnjë në udhën e tyre, duke u larguar nga Zoti, ata që kalojnë para Zotit e nuk i dëbon kush, por ikin vetë. E dënimi i amshuar është pikërisht ky, të largohesh vazhdimisht nga Zoti”.

Largim gjithnjë nga Zoti, që na jep lumturinë, nga Zoti, që na do. Ky është zjarri - pohoi Papa - kjo, udha e dënimit. Po figura e fundit e Librit të Zbulesës hap edhe udhën e shpresës e këtë udhë e hapi edhe Papa Françesku:

T’ ia hapim zemrën Jezusit me përvujtëri e shpresë

Nëse do të hapen zemrat tona e nuk do të shkojmë udhës sonë, do të kemi gëzim e shëlbim, do të gëzojmë “qiellin e ri e tokën e re”, për të cilën flitet në Leximin e Parë. Ta lëmë, prandaj, Jezusin të na ledhatojë e të na falë, pa mendjemadhësi, por me shpresë. Kjo, ftesa përfundimtare e Papës:

“Me shpresën, që i hap zemrat për takimin me Jezusin. Kjo na pret: takimi me Jezusin. Është bukur, shumë bukur. E ai na kërkon të jemi të përvuajtur e t’i themi ‘Zot’. Mjafton kjo fjalë e pjesën tjetër do ta bëjë Ai vetë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.