2016-11-25 17:16:00

Kisha, së bashku me gratë në Ditën kundër dhunës


Me një tweet, Papa Françesku shprehu afërsinë e tij me të gjitha gratë, në Ditën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunës kundër grave. “Sa gra të mposhtura nga pesha e jetës dhe nga drama e dhunës! Zoti i do të lira e plot dinjitet”, lexohet në mesazhin e Atit të Shenjtë.

Kisha ka luftuar gjithnjë që grave t’u njihet dinjiteti i barabartë me burrat dhe ka menduar një model martese me të drejta e detyra të njëjta për bashkëshortët. E sot, një numër i madh misionarësh e misionaresh ndihmojnë gratë e dhunuara.

Shpesh, janë gra të padëshiruara nga familja, ose nga bashkësia, të cilat gjejnë strehë dhe ndihmë në institucionet fetare. Aty bëhen të gjitha përpjekjet për t’i interguar sërish në shoqëri jo vetëm ato, por edhe fëmijët e tyre, edhe ata të lindur nga dhuna. Në këtë kuadër, duhet interpretuar mesazhi i Papës.

Në raportin e OKB-së për Ditën e sotme urohet që “të përhapet gjithnjë e më shumë vetëdija se dhuna kundër grave e të rejave nuk është vetëm dhunim i të drejtave të njeriut, por edhe emergjencë shëndetësore dhe pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm”. Mesazhi është i qartë dhe urgjent: “Ka akoma shumë që mund dhe duhet të bëhet në dhënien e përgjigjeve e në parandalimin” e rasteve të dhunës fizike e psikologjike. Është fjala për “veprime konkrete në shoqëri, që të ndryshohet ajo mendësi”, akoma tepër e përhapur, që e pranon dhunën kundër grave.








All the contents on this site are copyrighted ©.