2016-11-25 14:00:00

Françesku: kultura e popullsive vendase australiane nuk duhet të zhduket


Kultura e popullsive vendase australiane nuk duhet lënë të zhduket: e pohon Papa në një Mesazh me rastin e 30-vjetorit të vizitës historike, kryer nga Gjon Pali II më 29 nëntor 1986, në Alice Spring, ku u takua me aborigjenët edhe banorët e ishujve të Ngushticës Torres, ndërmjet Australisë e Guinesë së Re. Mesazhin ia dorëzoi liderit vendas të Ishujve të Ngushticës Torres, John Lochowiak, nunci apostolik në Kanberra, imzot Adolfo Tito Yllana.

Papa Françesku u shprehu vendasve australianë afërsinë e tij shpirtërore si dhe nderimin e thellë për trashëgiminë e tyre të lashtë kulturore, që flet vetë për gjenialitetin dhe dinjitetin e këtyre popullsive. Kujtoi edhe fjalët e Gjon Palit II, shqiptuar 30 vjet më parë:

“Mos besoni kurrë se dhuratat tuaja vlejnë aq pak, sa nuk duhet të përpiqeni më për t’i ruajtur. Ndajini me njëri-tjetrin, duke ua lënë trashëgim edhe fëmijëve tuaj. Këngët tuaja, historitë tuaja, pikturat tuaja, vallet tuaja, gjuhët tuaja, nuk duhet të humbasin kurrë”.

Ndërsa Françesku shkruan:

“Kur i jetoni bashkë traditat e bashkësisë suaj ju dëshmoni edhe pushtetin që ka Ungjilli për të përsosur e për të pastruar çdo shoqëri; e kështu bëni edhe vullnetin e shenjtë të Zotit”.

Edhe Gjon Pali II, në fjalimin e tij historik, pati kujtuar se "Ungjilli i flet të gjitha gjuhët, i pushton të gjitha kulturat” e i pati denoncuar shpërdorimet e kryera nga kolonizatorët evropianë, që i rrëmbyen tokat e banuara prej shekujsh nga popullsitë vendase, duke i konsideruar “tokë e askujt”. Vetëm më 21 qershorin e kaluar, pas një beteje që zgjati 40 vjet, popullsia vendase australiane e Larrakis, mundi t’i rimarrë tokat e trashëguara nga stërgjyshërit; 52 mijë hektarë në Trojet e Veriut, pranë Darvinit.  








All the contents on this site are copyrighted ©.