2016-11-24 08:30:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: vepra e mëshirës “të vizitojmë të burgosurit" e nipi i Shën Palit


Edhe pas përfundimit të Sinodit të jashtëzakonshëm të Mëshirës së Zotit, vazhdojmë të flasim mbi veprat e mëshirshme, siç na mëson Ungjilli e porosit Kisha, e njëra prej veprave të mëshirshme është edhe të ‘vizitosh të burgosurit’

Për të ilustruar këtë vepër të mëshirës, “të vizitojmë të burgosurit”, do të tregojmë sot një histori, e cila na bën të kuptojmë se vizita nuk është vetëm mëshirë për ta, por mund edhe t’i ndihmojë konkretisht. Kështu ndodh me të nipin e Shën Palit, guximi i të cilit i shpëton jetën Apostullit të Popujve.

Nuk njihet as emri i këtij djaloshi të zgjuar dhe të kujdesshëm. Dimë vetëm se ishte nipi i Shën Palit, i biri i së motrës. Kur Pali ndodhej në burgun e fortesës Antonia, në Jeruzalem, ishte komandant tribuni Claudio Lisia. Në ato ditë, 40 judenj u morën vesh për ta vrarë Palin e madje, bënë be të mos hanin e të mos pinin derisa ta vrisnin. I nipi i Palit ishte djalë i shkathët e i mbante veshët ngrehur, frekuentonte judenjtë dhe informohej për çdo gjë që ndodhte rreth tij, pasi donte të gjente një mënyrë për ta nxjerrë dajën nga burgu. Shkonte shpesh për vizitë te ai e sapo mori vesh për kurthin e ngrehur nga judenjtë, vrapoi t’ia thoshte. Atëherë Pali “thirri një centurion dhe i tha: “Përcille këtë djalosh te tribuni! Ka diçka për t’i thënë” (Vap 23,17). 

Centurioni e çoi djaloshin tek Claudio Lisia e i nipi i Shën Palit i tregoi gjithçka: judenjtë do të mblidheshin të nesërmen e do të vinin tek tribuni për ta lutur që të hapte një proces të ri për Palin, me pretekstin se duhej shqyrtuar më thellë akuza kundër tij, por, në të vërtetë, ishin marrë vesh ta vrisnin gjatë transferimit për në gjyq. Lisia e lavdëroi djaloshin për guximin që tregoi dhe i tha të mos fliste me askënd për bisedën, që pati me të. Duke e kuptuar se ishte me rrezik të madh të mbahej akoma Pali në Jeruzalem, tribuni organizoi një skuadër ushtarësh dhe e çoi shenjtin e ardhshëm në Çezare, ku ishte guvernator Feliçi.

 Kështu, kurthi kundër Palit u shkoi huq hebrenjve pikërisht për shkak të nipit të apostullit, i cili, megjithëse e dinte se ishte me rrezik, nuk pati frikë të shkonte për ta takuar dajën në burg.








All the contents on this site are copyrighted ©.