2016-11-24 11:35:00

Mbërrini në Sheshin e Shën Pjetrit Pema e Krishtlindjes


Mbërrini sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan Pema e Krishtlindjes dhuruar nga Trentino, e cila është lartuar në qendër të kollonatit të Berninit, përballë Bazilikës së Vatikanit, në krahun e djathtë të obeliskut. Së shpejti pranë Pemës së Krishtlindjes do të përgatitet edhe Shpella e Betlehemit, që rrëfen lindjen e Jezu Krishtit, sivjet dhuratë e Maltës.

Kujtojmë se Pema e Krishtlindjes është një bredh i kuq, i lartë 25 metra, e vjen nga pylli i Lagorai-t, nga rajoni italian Trentino. Është dhuratë e Bashkisë Scurelle. Në momentin e prerjes, më 13 nëntorin e kaluar, fëmijët e shkollës fillore vendase kanë mbjell  fidane bredhash, pak më larg se vendi i bredhit fatlum, ku në vjeshtën e kaluar u prenë disa drunj të prekur nga një parazit. Pema e bredhit, si çdo vit, do të përdorët për qëllime bamirësie.

Shpella e Betlehemit do të jetë dhuratë e kryedioqezës dhe qeverisë së Maltës, të cilët vitin e kaluar shpallën enkas një konkurs ndërmjet artistëve vendas. Boca e zgjedhur nga komisioni maltez, është e artistit Manwel Grech, nga Gozo. Paraqet peizazhin maltez, aktitekturën dhe ndërtimet vendase,  florën e faunën lokale. Shpella është 17 metra e gjerë, 12 e thellë, 17 metra e gjatë. Personazhet janë të veshur me rroba tipike  malteze e të pajisur me instrumente muzikore. Banorët e kësaj Shpelle sivjet do të jenë 17, pa llogaritur gjënë e gjallë. I pranishëm në Shpellë, Kryqi i Maltës,  e edhe një barkë, “luzzu”, tipike për arkipelagun maltez, që simbolizon jo vetëm traditën, peshkimin e vetë jetën, por edhe realitetin e emigrantëve, të cilët lundrojnë pikërisht në këto ujëra, me gjithfarë mjetesh të rastit, për të arritur në Itali.

Sivjet Bredhi do të stoliset përsëri me xhingla, realizuar nga fëmijët, që mjekohen në repartet onkologjike të disa spitaleve italiane. Edhe ndriçimi  do të jetë risi, posaçërisht për mbrojtjen e ambientit: Bredhi do të ndriçohet nga 18.000 llambushka me teknologji led, nga të cilat 1.400 me efekt shkëndije, me peshë 140 kilogram e kosum vetëm 1,7 K.W

Pema e Krishtlindjes, së bashku me shpellën e Betlehemit do të përurohen më 9 dhjetorin e ardhshëm, në ora 16.30, së bashku me Shpellën e Betlehemit, që sivjet do të vjen nga Malta. Do të qëndrojnë të ndriçuara deri natën e së dielës së 8 janarit, festën e Pagëzimit të Jezusit Zot e në përfundimin e Kohës liturgjike të Krishtlindjes. Në mëngjesin e 9 dhjetorit delegacionet nga Trentino e Malta, së bashku me disa fëmijë që kanë përgatitur dekorimet e Pemës së Krishtlindjes, do të pritën në audiencë nga Papa për paraqitjen zyrtare të dhuratave të Krishtlindjes.

Bredhi i Krishtlindjes dhe Betlehemi janë simbole të jetës e të paqes së Zotit dhuruar njerëzimit. Pema e Krishtlindjes në Vatikan me dritat e saj, fton secilin prej nesh të ndriçojmë njëri-tjetrin me vepra dashurie njerëzore, të jemi përherë e më të bashkuar mes nesh, të jemi solidarë ndaj njëri-tjetrit, për të ndërtuar kështu së bashku një botë me drejtësi dhe paqe. Kujtojmë se tradita e zbukurimit të Pemës së Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan nisi nga Papa Shën Gjon Pali në vitin 1982.








All the contents on this site are copyrighted ©.