2016-11-23 14:12:00

Papa uron Patrikun Kirill me rastin e 70-vjetorit të ditëlindjes


“Dëshiroj t’i transmetoj Shenjtërisë Suaj, vëlla i dashur në Krishtin, urimin personal, duke ju siguruar se lutem për Ju me rastin e 70-vjetorit tuaj”. Ky, mesazhi i Papës Françesku, dërguar kreut të Kishës ruse, Patrikut Kirill, me rastin e përvjetorit të 70-të të ditëlindjes. Mesazhi, që u bë i njohur nga Patriarkana e Moskës dhe nga Cei, në gjuhën italiane, u dorëzua nga kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, të cilin Patriku Kirill e priti në selinë patriarkale, në manastirin moskovit të  Shën Danielit.

“Falënderoj Zotin  - shkruan akoma Papa në mesazh – për bekimin e Tij bujar e edhe për dhuratën e shërbesës si Bari i Kishës Ortodokse ruse. E ju falënderoj edhe për ndihmesën tuaj personale në afrimin ndërmjet dy Kishave tona, duke kujtuar me ngrohtësi të thellë, takimin tonë”.

Kardinali Koch shoqërohej nga nunci apostolik pranë Federatës Ruse, kryeipeshkvi Celestino Migliore dhe nga drejtori i seksionit lindor të Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, imzot Hyacinthe Destivelle. Duke i pritur miqtë, Patriku Kirill i falënderoi për pjesëmarrjen  në kremtimin e 70-vjetorit të tij. “E vlerësoj si gjest të vyer nga ana e Kishës katolike romake e edhe si mundësi për shkëmbimin e opinioneve me ju, lidhur me agjendën e përbashkët” - theksoi Primati i Kishës Ruse.   








All the contents on this site are copyrighted ©.