2016-11-23 16:35:00

Papa denoncon plagën e analfabetizmit ndër fëmijë: formë e rëndë e padrejtësisë


E quajti formë të rëndë të padrejtësisë Papa, analfabetizimin, në audiencën e sotme të përgjithshme kushtuar dy veprave të mëshirës: të këshillosh dyshimtarët e të mësosh të paditurit. Sepse mungesa e shkollimit e cenon dinjitetin e njeriut dhe e lehtëson mundësinë për të rënë pre e formave të ndryshme të shfrytëzimit. Mendimi i Papës shkoi tek fëmijët që vuajnë akoma nga analfabetizmi. Në një botë ku përparimi teknik e shkencor ka arritur në kulme të papara. E si mund të bashkëjetojnë kulmi i shkencës e i teknikës, me kulmin e padijes? Si mund të kuptohet kjo! Është padrejtësi – pohon pa mëdyshje Françesku.

Arsimi i mirë - vijoi - të mëson metodën kritike, duke përfshirë edhe një farë dyshimi, që është i nevojshëm për të vërtetuar rezultatet e arritura.

E më pas kujton fillimet e mbara të Kishës për shkollimin e njeriut, nga  Shën Justini në shekullin II, tek Shën Jozef Kalasanci e Shën Gjon Bosko, të cilët Papa i paraqiti si shembull të krishterësh, që u angazhuan në shekuj në fushën e mësimdhënies, duke i mësuar “ata që nuk dinin”, por që mund të mësonin. Që e kuptuan nevojën e Kishës, në rrjedhë shekujsh, për t’u angazhuar në fushën e arsimit, sepse misioni i saj ungjillëzues përfshin edhe angazhimin për t’ua rikthyer dinjitetin të varfërve. Kështu mijëra të krishterë, laikë, vëllezër e motra rregulltarë e edhe priftërinj, dhanë jetën për arsimimin dhe edukimin e fëmijëve e të të rinjve. Punë tejet e madhe kjo! E Papa i ftoi të pranishmit ta nderonin kujtimin e tyre me një duatrokitje të fuqishme.

Ishte angazhim me pak mjete, ky i Kishës, por në gjendje t’ia ndërrojë faqen shoqërisë. Shembulli i parë është ai i Shën Justinit i cili, në shekullin II, themeloi një nga shkollat e para për të krishterët, që të mund ta njihnin më mirë Shkrimin Shenjt. E, më pas, Shën Jozef Kalasanci që, ndërmjet viteve 1500 e 1600, hapi shkollat e para popullore evropiane falas, e akoma, Shën Gjon Bosko, që i përgatiste për punë fëmijët e  të rinjtë e rrugëve, me oratorin e pastaj me shkollat, me zyrat.. U jepte mësim, punë, domethënë, jetë të njëmendtë, pa harruar edukimin me vlerat njerëzore e kristiane. “Shkollimi është me të vërtetë një formë e veçantë e ungjillëzimit – theksoi Papa.  E sa më shumë përhapet arsimi, aq më shumë fitohet siguria e edhe vetëdija, për të cilat të gjithë kemi nevojë të madhe në jetë”.

E nësa Papa kujton kontributin e  figurave më të ndritura të Kishës katolike universale në lëmin e shkollimit të fëmijëve e të të rinjve, nuk mund të mos na shkojë mendja tek fillesat e këtij angazhimi në trojet shqiptare, ku u lumnuan, vetëm pak ditë më parë, disa mësues të ngjashëm me shenjtorët e cituar sot nga Papa. Po kujtojmë vetëm mësuesit e Kolegjës së famshme Saveriane, të Lumët Gjon Fausti e Daniel Dajani, si dhe ata të Liceut “Illyricum”, françeskanët e Lum Gjon Shllakun e Bernardin Palaj, për të mos shkuar gjatë me listën e rregulltarëve, priftërinjve e laikëve katolikë, nënshkrimi i të cilëve gjindet në të gjitha punët e mbara, të kryera në e për Shqipërinë e shqiptarët, nga arsimi, tek edukata; nga letërsia, tek artet e bukura; nga muzika, tek teatri.    








All the contents on this site are copyrighted ©.