2016-11-21 15:52:00

Më 21 nëntor, Kisha kremton festën e Paraqitjes së Zojës në Tempull.


Më 21 nëntor, kalendari kishtar përkujton festën e Paraqitjes së Lumes Virgjër Mari në Tempull. Sipas traditës së lashtë, që tregohet edhe në disa nga shkrimet apokrife, Zoja iu kushtua Hyjit në tempull që kur ishte fëmijë. Në këtë mënyrë ajo e përgatiti trupin dhe shpirtin për të pritur fjalën që do të bëhej njeri në kraharorin e saj. Ky përkujtim ka rëndësi ekumenike, sepse misteri i paraqitjes së Zojës Bekuar në tempull ka gjetur jehonë të gjerë në botën ortodokse.

Mbi këtë paraqitje të Marisë, për t’iu kushtuar Zotit qysh në fëmijëri të parë, na flasin vetëm tradita e shkrimet apokrife. Liturgjia lindore e shënon festën që në shekullin e katërt, ndërsa në Perëndim hyri në Kishë rreth shekullit XIV.
E kremtja përkujton kushtimin e Virgjërës Hyjit me shpirt e me trup. Zoja, me ketë akt, bëhet modeli i gjithë atyre të cilët, aty e mbrapa, do t’i kushtohen Zotit me jetën rregulltare.

Prandaj sot, në përkujtimin liturgjik të Paraqitjes së Zojës së Bekuar në tempull, Kisha kremton edhe Ditën vjetore ‘Pro orantibus’, kushtuar rregulltarëve e murgeshave të klauzurës, duke kujtuar se kuvendet e jetës kundruese u ofrohen njerëzve si oaza të Shpirtit e u bëjnë mirë të gjithëve. Maria, duke u paraqitur në tempull, është ikonë profetike e atyre, që dhurojnë jetën për lavd e lumni të Zotit e për kthimin e zemrave, përmes kushteve rregulltare. Kisha i shpreh mirënjohjen Zotit për këtë dhuratë dhe i kushton vëmendje të veçantë manastireve, posaçërisht atyre, që kalojnë çaste të vështira.

Gjatë Ditës kushtuar rregulltareve të klauzurës, themeluar nga Piu XII më 21 nëntor 1953, besimtarët luten për ata që ia kushtojnë gjithë jetën kundrimit, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Zgjedhja e rrugës kundruese nuk është e rastit: buron nga dashuria e thellë, pa kushte, për Krishtin dhe nga dëshira për të marrë pjesë shpirtërisht në problemet e Kishës e të botës. Shembulli i murgeshave mund të kthehet në forcë tërheqëse e t’i japë hov ecjes në gjurmët e Krishtit, që kërkohet nga çdo i pagëzuar. Kjo Ditë u kujton gjithë të krishterëve se Krishti duhet të jetë në qendër të jetës së tyre, se duhet të luten e të dëgjojnë fjalën e Zotit, për ta jetuar plotësisht fenë.








All the contents on this site are copyrighted ©.