2016-11-21 18:33:00

Fisichella: sa i përket abortit, asnjë lëshim, por mëshirë


Në të gjithë botën, besimtarët që kanë kapërcyer Portën Shenjte arrijnë në 900-950 milion vetë. Në Konferencën për shtyp, gjatë së cilës paraqiti Letrën Apostolike “Misercordia et misera” të Papës Françesku, në përfundim të Jubileut të Mëshirës, kreu i dikasterit vatikanas për ungjillëzimin e ri, imzot Rino Fisichella sqaroi se numri përbën më shumë se 80% të katolikëve në krejt globin. Në Romë, mëse 21 milion shtegtarë, nga 156 vende, kanë marrë pjesë në veprimtari të ndryshme jubilare. Viti Shenjt, që nisi më frikën e terrorizmit, nën një dhunë të paparë në Evropë, vijoi me qetësi, vuri në dukje imzot Fisichella, që iu përgjigj më pas pyetjeve të gazetarëve.

Asnjë lëshim për abortin

         Letra apostolike “Misericordia et misera” u jep mundësinë të gjithë meshtarëve të zgjidhin mëkatin e abortit, detyrë, që më parë i takonte ipeshkvit dioqezan, i cili mund të ngarkonte për këtë edhe ndonjë meshtar të caktuar prej tij. Imzot Fisichella pohoi se nuk është fjala për ndonjë lëshim:

         “Ati i Shenjtë e nënvizon shumë qartë, duke sqaruar edhe ata, që duan të lexojnë vetëm pjesërisht: ‘Theksoj me të gjitha forcat e mia se aborti është mëkat i rëndë, sepse i jep fund një jete të pafajshme. Megjithatë, po me të njëjtën forcë mund e duhet të pohoj se nuk ka asnjë mëkat, që të mos arrihet e shkatërrohet nga Mëshira Hyjnore, kur gjen një zemër të penduar, e cila kërkon të pajtohet me Zotin’. Pra, nuk kemi të bëjmë me ndonjë formë lëshimi; ka një formë me të cilën njeriu bëhet i vetëdijshëm për mëkatin e rëndë, pendohet, e prandaj dëshiron të pajtohet me Zotin”.

         Duke iu përgjigjur një pyetje tjetër për ndryshimin e së drejtës kanonike, imzot Fisichella deklaroi se ajo do të azhurnohet.

Përvoja e fuqishme e Misionarëve të Mëshirës

         Pastaj, duke iu referuar përvojës së Misionarëve të Mëshirës, që do të vijojë, imzot Fisichella vuri në dukje bukurinë e këtij shërbimi:

         “Në disa zona, rrëfimet janë shtuar me 30%. Krijohen radhë të gjata, edhe këtu, në Bazilikat papnore. Misionarët e Mëshirës – e kjo s’duhet të harrohet – ishin e mbeten diçka më shumë se njëmijë meshtarë, të shpërndarë në të gjithë botën, me të njëjtin pushtet të Atit të Shenjtë për shlyerjen e mëkateve. Janë mëkatet për të cilat ka kompetenca vetëm Selia Apostolike”.

Vëllazëria Shën Piu X

         Çështje tjetër e konferencës së shtypit ishte rrëfimi dhe kungimi i atyre besimtarëve, që ndjekin kishat e Vëllazërisë Shën Piu X. Vlefshmëria e Sakramentit të Pajtimit me Zotin zgjatet edhe pas Jubileut deri në direktiva të reja. Imzot Fisichella sqaroi:

         “Papa s’bën tjetër veçse përsërit atë që pati shkruar në letrën, që më dërgoi për Jubileun. Këtu, natyrisht, përdor një shprehje shumë domethënëse, sepse thotë qartë: ‘Me vendim timin, e shtrij këtë vlefshmëri përtej periudhës jubilare deri në dispozita të reja për këtë qëllim’. Mendoj se edhe një herë, Papa u shtrin dorën”.

Çastet prekëse të Jubileut

         Pastaj, imzot Fisichella vuri në dukje çastet më prekëse të Jubileut të Mëshirës, duke u ndalur në Ditën e re Botërore kushtuar të varfërve, propozuar në Letrën Apostolike “Misericordia et misera”, si edhe në të dielën kushtuar tërësisht Fjalës së Zotit. Prelati tregoi edhe për të Premtet e Mëshirës, gjatë të cilave Papa Françesku u takua me gratë-skllave të prostitucionit, vizitoi repartin e neonatologjisë, u vuri dorën në kokë të moshuarve e të gjymtuarve. E pastaj, përmendi 4 mijë vullnetarët e Jubileut: më i madhi, 84 vjeç e më i vogli, 18.

Të shtohet “kultura e mëshirës”

        Thelbi i Letrës Apostolike, sipas imzot Fisichella-s, është krijimi i një kulture të mëshirës, që e sheh vuajtjen e tjetrit:

         “Në këtë Letër, Papa Françesku nuk ka bërë tjetër, veçse është thelluar në temën aq të dashur për të, në temën e mëshirës si përmasë thekbësore e fesë dhe e dëshmisë së krishterë. Provokimi për t’i rishikuar veprat tradicionale të mëshirës trupore dhe shpirtërore në dritën e varfërive të reja të botës së sotme, është ftesë konkrete që bashkësitë e krishtera e çdo besimtar t’i bëjë vend fantazisë së mëshirës, për të krijuar ‘një kulturë të mëshirës’ bazuar në rizbulimin e takimit me të tjerët: një kulturë, në të cilën askush nuk e sheh tjetrin me indiferencë dhe as e kthen vështrimin nga ana tjetër para vuajtjes së vëllezërve”.

         Me Jubileun e Mëshirës, Papa deshi që besimtarët ta provojnë Mëshirën Hyjnore për t’u bërë më pas, mjete të saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.