2016-11-20 16:44:00

Papa dorëzon Letrën Apostolike “Misericordia et misera” në duart e Popullit të Zotit


Papa Françesku priti sot disa çaste, në tryezën, që u çua në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, për nënshkrimin e Letrës Apostolike “Misericordia et misera” (Mëshirë e dhembshuri), në përfundim të meshës, me të cilën u mbyll Viti Shenjt i jashtëzakonshëm i Mëshirës. Letra i drejtohet gjithë Kishës, që të vazhdojë ta jetojë mëshirën me të njëjtin intensitet të provuar gjatë Jubileut. Prandaj, në çastin e firmës, Papa Françesku deshi pranë vetes organizatorin e këtij Viti Shenjt, kryeipeshkvin Rino Fisichella, të cilin sapo e kishte falenderuar për impenjimin.

Duke përfaqësuar gjithë Popullin e Zotit, nga duart e Papës, Letrën Apostolike e morën: kardinali Luis Antonio Tagle, kryeipeshkëv i Manilës, një nga tre metropolet më të mëdha të botës; imzot Leo William Cushley, kryeipeshkëv i Saint Andrews në Edimburg; dy meshtarë misionarë të mëshirës nga Republika Demokratike e Kongos dhe nga Brazili; një diakon i përhershëm i dioqezës së Romës së bashku me familjen; dy murgesha nga Meksika dhe nga Koreja e Jugut; një familje e përbërë nga prindërit, fëmijët dhe gjyshërit me origjinë nga SHBA-të; një çift të fejuarish; dy nëna katekiste në një famulli të Romës; një grua me të meta fizike dhe një i sëmurë.

 “Jubileu i mëshirës, që përfundon sot – shkruan Papa në një tweet – vijoftë të japë fryte në zemrat dhe në veprat e besimtarëve. E mbyllim sot Portën Shenjte, duke e falenderuar Zotin që na dha këtë kohë të jashtëzakonshme hiri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.