2016-11-19 13:33:00

Kard. Zenari: Kisha përkulet mbi plagët e botës


Në fillim të Koncistorit për krijimin e 17 kardinajve të rinj, ndër të cilët edhe ai shqiptar, Ernest Simoni (Troshani), nunci apostolik në Damask, imzot Mario Zenari, i drejtoi Papës Françesku një përshëndetje, në emër të të gjithë prelatëve të lartë. Ja teksti i plotë, i lexuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan:

 I Lumnueshmi Atë, ju jemi me gjithë shpirt mirënjohës që na nderuat me një titull të veçantë bashkimi me Kishën e Romës, e cila, sipas shprehjes së famshme të Shën Injacit të Antiokisë “kryeson bashkimin e dashurisë” (Letra drejtuar Romakëve 1,1). Na keni thirrur nga të gjitha kontinentet: nga trojet, që konsiderohet “djepi i krishterimit” e ku, për herë të parë, dishepujt u quajtën të krishterë (Vap 11,26); nga Kisha të reja e dinamike; nga kontinenti i vjetër e nga bota e re. Shenjë e qartë e universalitetit të Kishës në shprehjet e saj të ndryshme e të bukura të së njëjtës fe. Vijmë nga përvoja të ndryshme kishtare: shërbim për Selinë e Shenjtë, shërbim baritor, dëshmi të guximshme feje.

Që kur Shenjtëria Juaj hapi Portën Shenjte të katedrales së Banguit (Republika Qendroafrikane) dhe të kësaj Bazilike, vijoi të tingëllojë në të gjitha katedralet e botës dhe të përhapet si një valë e gëzueshme e mirëbërëse, motoja ungjillore “Misericordes sicut Pater” (Le 6,27), e kudo, rijehoi lavdi drejtuar Zotit për mëshirën e Tij pa fund, sëbashku me impenjimin e ri në zbatimin e veprave të mëshirës trupore e shpirtërore.

Kisha e ndjeu disa herë ftesën e Shenjtërisë Suaj për të qenë “Kishë në dalje”, për të shkuar në periferitë më të skajshme ekzistenciale, për të çuar me guxim në çdo kënd të tokës dritën e Fesë (Lumen Fidei), kumtimin e gëzuar të Ungjillit (Evangelii gaudium), për të shpallur e dëshmuar gëzimin e dashurisë familjare, bashkuar me balsamin e mëshirës (Amoris laetitia), për të bërë të tingëllojë sërish Kënga e Krijesave (Laudato si’) e për të ecur në rrugën e dialogut ekumenik e ndërfetar.

Shenjtëria Juaj e ka kujtuar disa herë dëshminë heroike të fesë, deri në derdhjen e gjakut, të sa e sa vëllezërve dhe motrave tona në anë të ndryshme të botës: më të shumënumërt sot - keni nënvizuar - se në fillimet e krishterimit. Kisha e Krishtit, siç thotë Shën Augustini, vijon shtegtimin e saj ndërmjet “persekutimeve të botës dhe ngushëllimeve të Zotit” (Sh. Augustini Civ. Dei XVIII, 51, 2. në Lumen Gentium 1). Është e dashura e vizituar nga i Zgjedhuri, kur kryet e saj “laget me vesë e kaçurrelat, me pikla nate” (Shih 5,2), apo, sipas komentit të Shën Ambrozit për këtë pjesë të Këngës së Këngëve, kur trupi i saj vuan (Koment për Psalmin 118 të Liturgjisë së Orëve, III, faqe 445). E kështu, Kisha, megjithëse e veshur me brishtësinë njerëzore, duket “sicut sponsa ornata monilibus suis” (Is 61,10), pra si nuse e zbukuruar me stoli, ndër të cilat purpuri i martirit.

Është Kisha e “Samaritanit të Mirë”, na kujton më tej Shenjtëria Juaj, që përkulet mbi njeriun e sotëm - shpesh “fatzi” i lënë gjysëm i vdekur në anë të rrugës, plagosur trup e shpirt – që është e thirrur të kujdeset e t’i lyejë plagët e tij me vajin dhe verën e dhembshurisë hyjnore. Atë i Shenjtë, disa prej nesh vijnë nga vende ku shumë, miliona, janë “fatzinjtë”, të rritur e fëmijë, lënë vdekur apo gjysëm të vdekur në rrugët e fshatrave e të lagjeve, ose nën rrënojat e shtëpive e të shkollave të tyre, për shkak të dhunës së egër e të konflikteve të përgjakshme, çnjerëzore e të ndërlikuara, pasojat tragjike të të cilave bien pak si tepër shpesh mbi popullsitë e pambrojtura civile, duke shkaktuar vuajtje dhe katastrofa njerëzore të pamasa me përmasa të jashtëzakonshme. Disa rajone të botës janë kthyer kështu në vende për zbatimin e veprave të mëshirës në të gjitha fushat për  shumë “Samaritanë të Mirë”, Kisha, organizata humanitare, njerëz të çdo besimi, ose thjesht, njerëz me ndjenja dhembshurie njerëzore.

Tek Ju, Pasardhës i Shën Pjetrit, shohim, me mirënjohje të ndjerë, jo vetëm “sollicitudo omnium ecclesiarum”, por edhe punën e palodhur për ndalimin e dhunës dhe të luftës në anë të ndryshme të botës, për pajtimin e paqen, për mikpritjen e refugjatëve, solidaritetin ndërmjet kombeve dhe zhvillimin e gjithanshëm të popujve. E mbajtur nga hiri i Vitit Jubilar, dhuratë e Shenjtërisë Suaj për besimtarët e gjithë botës, Kisha do të vazhdojë, me hov të ri, të këndojë së bashku me psalmistin: “Misericordias Domini in aeternum cantabo” (Ps 89), nën vështrimin e mëshirshëm të “Mater Misericordiae”. Faleminderit Atë i Shenjtë!








All the contents on this site are copyrighted ©.