2016-11-19 12:05:00

Dom Ernest Troshani Simoni u krijua Kardinal i Kishës Katolike


Me vënien e kapeles, dorëzimin e unazës kardinalore dhe të diakonisë, Papa Françesku e krijoi kardinal priftin shqiptar të kryedioqezës së Shkodër-Pultit, dom Ernest Simonin. Ja fjalët e Papa Françesku shqiptuar në çastin e ritit të krijimit të kardinali shqiptar dom Ernes Troshani Simoni..

Çast tejet prekës, në një nga kulmet e Meshës së sotme për krijimin e 17 kardijave të rinj, ndërmjet të cilëve, kardinali shqiptar, Ernest Simoni. Kardinajtë i afrohen me radhë Françeskut për të marrë shenjat dalluese të dinjitetit të tyre të lartë. Njëri pas tjetrit. Deri te kardinali shqiptar. Papa i vë kapelën e kuqe e ai, i gjunjëzuar para Atit të  Shenjtë, përgatitet t‘i japë përqafimin e paqes.

Po, Papa Françesku përkulet i pari mbi këtë meshtar të thjeshtë, të martirizuar në një skaj të Ballkanit për 30 vjet, gjysëm të harruar fshatrave, ku shërbeu deri në këtë çast madhështor, të papritur në jetën e tij, dhe i jep një përqafim të paharrueshëm. Përqafon, kështu, në figurën e këtij Njeriu të moshuar, të thinjur, të thyer më dysh nga torturat e nga motet, tërë popullin shqiptar të shumëvuajtur, 38 martirët, që sapo u shpallën të Lum e dhjetra bij të tjerë të Kishës katolike e të popullit të Shqipërise, që e ndjekin nga qielli këtë ceremoni, në të cilën janë me të vërtetë të pranishëm, sepse petku i kuq kardinalor, është ngjyer në gjakun e tyre. E kjo ngjarje zhvillohet para syve të gjithë botës!

Ky, çasti tejet prekës, i krijimit të Kardinalit të dytë shqiptar me fjalët e Papa Françesku shqiptuar në çastin e ritit të krijimit të kardinali shqiptar dom Ernes Troshani Simoni nga kryedioqeza e Shkodër Pultit..








All the contents on this site are copyrighted ©.