2016-11-18 13:23:00

Vatikani në pritje të krijimit të 17 kardinajve të rinj, ndër ta edhe kardinali shqiptar Hirësia tij Ernest Troshani.


 Vatikani është në pritje të festës për krijimin e 17 kardinajve të rinj, neser ne ora 11.00, ndër ta edhe kardinali shqiptar Hirësia tij Ernest Troshani. Njoftimi qe bërë gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të dielës së 9 tetorit kaluar, ditën e kremtimit të Jubileut Marian. Kardinajtë e rinj vijnë prej 11 Kombeve të ndryshme nga mbarë bota.

Kështu, pas 4 shtatorit, ditës së Shenjtërimit të ikonës së Dashurisë së këtij Viti Jubilar të jashtëzakonshëm të Mëshirës, Nënë Terezës, Ganxhe Bojaxhiut, në Vatikan, nesër më 19 e pasnesër 20 nëntor do të përjetohet një tjetër ngjarje e madhe kishtare, që vlerëson edhe një herë historinë e krishterimit ndër shqiptarë, përmes krijimit kardinal të meshtarit dom Ernest Troshani Simoni.

Në vigjiljen e mbajtjes së Koncistorit, në Vatikan kanë mbërrijtë me qindra e qindra mijëra shtegtarë nga të gjitha anët e botës, e edhe shumë shqiptarë, për të marrë pjesë në ceremoninë e krijimit të kardinajve të rinj, në mesin e të cilëve shkëlqen kardinali i dytë shqiptar, që vetëm pak  kohë më parë, diktatura komuniste e persekutoi mizorisht, e internoi dhe burgosi për vite të tëra, siç persekutoi, burgosi e vrau 38 Martirët e Lum të Kishës e të Kombit shqiptar e shumë klerikë e qytetarë të tjerë të Shqipërisë.

Megjithëse i moshuar, kardinali ynë i ri shqiptar, do të jetë i pranishëm në  kremtimin e Konçistorit e nesër, në orën 11.00, do të marrë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, veshjen e kuqe, simbol i gjakut të martirëve e të popullit tonë, që ai e përfaqëson kësaj here para mbarë botës, në sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Ndër 17 kardinajtë e rinj, kardinali ynë, Hirësia e Tij, Ernest Troshani Simoni, tërheq në veçanti vëmendjen e opinionit publik, për qëndresën heroike që tregoi gjatë kalvarit të periudhës së komunizmit ateist. Ai simbolizon jo vetëm martirët, por mbarë një popull të persekutuar që, me besim në Zotin, doli ngadhënjimtar....

Pas Konçistorit, që do të mbahet nesër paradite, Papa Françesku do të kremtojë Meshën së bashku me kardinajtë e rinj, ndërmjet të cilëve, një vend të veçantë do ta ketë, pa dyshim, kardinali ynë i dytë, Hirësia e Tij e Lartë, Ernest Troshani. Së bashku me të, edhe populli shqiptar.  

Të dielën, siç dihet, Papa Françesku me mbylljen e Portës së Shenjtë, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, do ta shpallë të mbyllur edhe Jubileun e Jashtëzakonshëm të Mëshirës Hyjnore.

Por, të kthehemi tek kardinajtë! Do të jenë 17, kardinajtë e rinj, që do të krijojë Papa Françesku gjatë Koncistorit (i treti i Papnisë së tij) më 19 nëntorin e ardhshëm. 13 prej tyre do të jenë zgjedhës e 4, jo zgjedhës.

Kontinenti më i përfaqësuar në emërimet e reja, do të jetë ai evropian, me 5 kardinaj të rinj, i ndjekur nga Amerika Veriore (4), Afrika (3), Amerika Latine dhe Azia (2) e, së fundi Oqeania. Deri më sot ishin 7 kombet që nuk kishin asnjë kardinal: prej tyre, 4 do të kenë kardinaj me të drejtë zgjedhore (Republika Qendrafrikane, Bangladeshi, Ishujt Mauritius e Papua Guinea e Re) dhe 3, kardinaj me të drejtë këshillimore (Malajzia, Lesotho e Shqipëria). Kështu kolegji kardinalor i pas Koncistorit do të ketë 228 kardinaj, nga të cilët, 121 zgjedhës e 107 jo zgjedhës, 55 - të krijuar nga Papa Françesku (44 zgjedhës).

Kontinenti më i përfaqësuar mbetet Evropa, me 112 kardinaj (54 zgjedhës), ndjekur nga Amerika Veriore e Jugore, me 27 kardinaj (respektivisht 17 e 13 zgjedhës), nga Amerika Qendrore me 8 kardinaj (4 zgjedhës)  e nga Oqeania, me 6 kardinaj (4 zgjedhës). Kolegjit Kardinalor i cili përbëhet nga një mori fytyrash, shpreh fytyrën e Kishës universale. E thekson këtë edhe prejardhja e kardinajve të rinj, përfaqësues të  kontinenteve e të vendeve të ndryshme të botës








All the contents on this site are copyrighted ©.