2016-11-18 13:30:00

Françesku: firmat ekzistojnë për të shërbyer, korrupsioni është plagë shoqërore


“Të gjitha veprimtaritë njerëzore, edhe ndërmarrjet e firmat, mund të jenë zbatime të Mëshirës”. Kështu u foli Papa rreth 500 pjesëmarrësve të Konferencës me temë “Lider ndërmarrjesh, veprimtarë të përfshirjes ekonomike dhe shoqërore”. Takimi i mbajtur dje e sot, u organizua nga Këshilli Papnor “Drejtësi e Paqe” dhe nga Bashkimi ndërkombëtar i afaristëve të krishterë (Uniapac), i pranishëm në rreth 40 vende të botës.

Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi se po përfundon Jubileu i jashtëzakonshëm i Mëshirës, gjatë të cilit afaristët, duke pasur parasysh qëndrimin e mëshirshëm të Zotit, shembull për t’u ndjekur, kanë pasur mundësinë të reflektojnë mbi tri rreziqe, që kërcënojnë veprimtarinë e tyre. Papa vuri në dukje rrezikun për të mos e përdorur si duhet paranë, rrezikun e pandershmërisë dhe atë të mungesës së vëllazërimit:

“Ndërmarrjet nuk duhet të ekzistojnë për të fituar para, megjithëse paraja shërben për t’i matur sukseset e tyre. Ndërmarrjet ekzistojnë për të shërbyer”. “Paratë – shpjegoi Papa – nuk kanë vlerë neutrale, por marrin vlerë sipas qëllimit dhe mënyrës me të cilën përdoren”.

Është urgjente, nënvizoi Ati i Shenjtë, që financat dhe bankat të mbështesin familjet, të varfërit dhe të gjitha veprimtaritë parësore për mirëqënien e shoqërisë. Finacimet, kërkoi Papa, nuk duhet të kthehen në fajde. Rreziku i dytë për afaristët është korrupsioni:

“Është plaga shoqërore më e keqe. Është gënjeshtër për fitimin personal ose të grupit ku bëj pjesë, nën dukjen e shërbimit për shoqërinë… Korrupsioni është mashtrim kundër demokracisë dhe u hap portën të këqiave të tjera, si droga, prostitucioni, trafiku i njerëzve, skllavëria, tregtia e organeve, trafiku i armëve”.

Rreziku i tretë për afaristët, sipas Papës Françesku, është kur nuk e kuptojnë se ndërmarrja është bashkësi pune, në të cilën të gjithë meritojnë respekt dhe vlerësim vëllazëror nga ana e eprorëve, kolegëve dhe e gjithë të tjerëve. Ati i Shenjtë u kujtoi afaristëve se shumë prej tyre vijnë nga familje emigrantësh, fillimisht të varfëra, që kanë mundur të ecin përpara falë mundësive të dhëna nga shoqëria pritëse. Aty kanë gjetur njerëz, që ndoshta mund të kenë qenë edhe të varfër, por janë treguar të gatshëm për të ndarë me të ardhurit atë pak që kishin.








All the contents on this site are copyrighted ©.