2016-11-17 10:14:00

Papa Françesku emëron Imzot George Frendo-n kryeipeshkëv të ri të Tiranë-Durrësit.


Papa Françesku emëron Imzot George Frendo-n kryeipeshkëv të ri të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit.

Imzot Frendo deri më sot ka qenë ipeshkëv ndihmës i kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, e nga vdekja e imzot Rrok Mirditës, Administrator dioqezan i së njëjtës kryedioqezë. Ati i Shenjtë Bergoglio e ka emëruar sot imzot George Frendo-n bari shpirtëror udhëheqës, pra, kryeipeshkëv ordinar të Kishës vendore të kryeqytetit të Shqipërisë, do të thotë të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, ku siç tha vetë imzot Frendo në përshëndetjen e tij të parë si kryeipeshkëv ordinar drejtuar sot klerit, “kam qenë dora e djathtë e të ndjerit Mons. Rrok Mirdita”. Tani, si paraardhës i imzot Mirditës, kryeipeshkvi ri imzot Frendo tha se “dua të mbaj gjithmonë parasysh shembullin e Papa Françeskut, apostull i madh i thjeshtësisë ungjillore, i mbrojtjes së të pambrojturve, i mëshirës së Zotit”

Imzot Frendo, rregulltar domenikan e teolog, nga Malta, prej shumë vitesh jeton e vepron në Shqipëri. Ka njohur nga afër jetën, veprimtarinë e misionin e Kishës katolike dioqezane të Tiranë-Durrësit, duke ofruar një kontribut të rëndësishëm me detyra dhe përgjegjësi të veçanta që ka zhvilluar nga fillimi, si rregulltar domenikan  në Durrës, pastaj si Vikar i Përgjithshëm i kryedioqezës Tiranë-Durrës, më vonë si ipeshkëv ndihmës, administrator dioqezan e tani fillon një periudhë të re si kryebari i kësaj Kishe vendore.

Kryeipeshkvi ri i Tiranë-Durrësit, imzot Frendo, gjen një Kishës vendore dioqezanë mirë të organizuar, me një fizionomi të plotë, që filloi të ndërtohej nga viti 1992-1993, mbi rrënojat e regjimit komunist e dalëngadalë, nën udhëheqjen e falë punës ungjillëzuese të kryeipeshkvit të parë pas rënies së diktaturës, imzot Rrok Mirditës dhe të klerit vendor e misionar, të rregulltarëve e rregulltareve,  mori fizionominë e plotë, u rigjallërua për të vijuar me misionin e përjetshëm të kumtimit të Lajmit të Mirë  të gjithë njerëzve vullnet mirë, e sipas binomit të klerit shqiptar për Fé e Atdhé.

Përurimi apo fillimi i misionit si kryeipeshkëv i imzot George Fredo-s do të mbahet të shtunën më 3 dhjetor në Kishën Katedrale të shën Palit në Tiranë. Një ditë më parë, të premten më 2 dhjetor, në orën 12.30 kryeipeshkvi ri ka programuar organizimin e  një dreke për disa të varfër në dioqezën e Tiranë-Durrësit. Po atë ditë, në çdo Kishë të kryedioqezane, kërkon ipeshkvi ri imzot Frendo, le të organizohet një gjysmë ore lutjeje për kryeipeshkvin e ri e për kryedioqezën Tiranë-Durrës. Po kujtojmë moton ipeshkëvnor të imzot George Frendo-s: “Bariu dëgjoftë zërin e deleve”. Po për t’u njohur më shumë me figurën e kryeipeshkvit të ri të Tiranë-Durrësit, ja një biografi e shkurtër:

                                        Imzot GEORGE FRENDO O.P. Curriculum Vitae

Imzot Gjergji (emri i pagëzimit Antonio) ka lindur më 4 prill 1946 në Qormi, Maltë (i pesti në një familje prej shtatë fëmijësh). Pasi përfundoi studimet follore dhe të mesme, hyri në Urdhrin e Predikatarëve apo Dominikan, në vitin 1962 dhe në vitin 1963 bëri kushtet e para. Ndoqi studimet për filozofi e teologji pranë Kolegjit Filozofik- Teologjik Sancti Thomae Aquinatis në Rabat, të Maltës. Kushtet e përjetshme në prill 1967 dhe u shugurua meshtar më 7 prill 1969.

Studimet dhe mësimdhënia

Është diplomuar si Lektor në Teologji të Shenjtë, me tezën Pagëzimi si Sakramenti i Fesë në Doktrinën dhe praktikën e Kishës. Ka vazhduar pastaj studimet në Pontificia Universitas Sancti Thomae Aquinatis në Romë, në Fakultetin e të Drejtës Kanonike, e në vitin 1973 u diplomua në Drejtën Kanonike me tezën Pazgjidhshmëria dhe Divorci në Teologjinë e Teologëve të shekullit të 13-të. Me t'u kthyer në Maltë nisi menjëherë të japë Teologji dogmatike pranë Kolegjit Domenikan Filozofik-Teologjik Sancti Thomae Aquinatis, duke dhënë disa kurse të Teologjisë Dogmatike (mbi sakramentet e Inicimit dhe Eskatologjinë) në Fakultetin e Teologjisë në Maltë dhe një kurs mbi Ateizmin Bashkëkohor në Seminarin e Gozës. Në Shqipëri ka dhënë Teologji Trinitare dhe Kristologji në Seminarin Ndër-dioqezan në Shkodër.

Zyrat Dominikane

1974-1979: Mësues i rishtarëve dhe studentëve

1979-1981: epror kuvendi

1981-1989: famullitar në një famulli domenikane në Maltë

1989-1997: Provincial i Dominikanëve në Maltë

1992-1996: Kryetar i Konferencës së eprorëve të lartë në Maltë

Zyrat e Arqidioqezës së Maltës

1974-1976: Defensor Vinculi i Gjykatës së Shkallës së Parë

1976-1980: Defensor Vinculi i Gjykatës Ndër-Dioqezane së shkallës së dytë

1980-1989: Gjyqtari i Gjykatës Ndër-Dioqezane të shkallës së dytë.

Anëtar i Komitetit të ngritur nga Konferenca Episkopale malteze për të hartuar rregullat plotësuese  pas shpalljes së Kodit të ri të Ligjit Kanonik.

Detyrat në Kishën e Shqipërisë

1997-1999: Përgjegjës për përgatitjen e standardeve plotësuese pas shpalljes së Kodit të ri të Ligjit Kanonik.

1998 -: Vikar i Përgjithshëm i arqidioqezës Tiranë-Durrës

1999-2005: Kryetar i Konferencës së eprorëve më të lartë në Shqipëri

2001-2006: Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm evropian të UCESM

2001 - 2006: Vicarius Judicialis i Gjykatës Ndër-Dioqezane (e shkallës së parë)

Nga 23 shtator 2006: ipeshkvi ndihmës i Tiranës.

Në vitin 2007 ai u emërua anëtar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.

Është autor i disa librave të natyrës doktrinore apo shpirtërore (si p.sh., mbi Eukaristinë, sakramentet, Marinë e Shenjtë, tre librave mbi temat për tre vitet e përgatitjes për jubileun e madh, familjen, një sintezë të Katekizmit të Kishës Katolike, adhurimin eukaristik, etj).

Ka pasur gjithashtu përvojë për shumë takime ndërkombëtare, si epror provincial i Dominikanëve në Maltë, ashtu edhe si president i Konferencës së Eprorëve më të lartë në Maltë dhe Shqipëri, qoftë si anëtar i Ekzekutivit të Unio Conferentiarum Europearum Superiorum Maiorum, ashtu edhe si një delegat në emër të Konferencës Ipeshknore Shqiptare.

Aktualisht është Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore dhe deri ne emerimin e tij si Arqipeshkev i Tirane-Durresit ka qene Administrator dioqezan i Arkidioqezes Tirane-Durrës. 








All the contents on this site are copyrighted ©.