2016-11-17 14:28:00

Papa: dashuria e “çmendur” e Zotit qan për pabesinë tonë


“Dashuria e çmendur e Zotit për popullin e vet” e pabesia jonë. Sillet rreth këtyre dy poleve zemra e homelisë së Papës Françesku në Meshën e mëngjesit të sotëm kremtuar në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan.

Një dramë që e bënë të qaj Jezusin para Jerusalemit që nuk e ka njohur e nuk e ka kuptuar kohën kur qe vizituar prej Zotit: “..sepse nuk e bëre për send kohën kur Hyji erdhi të ndihmojë” (Lk 19.44).

Jezusi qan mbi Jerusalemin. Niset pikërisht nga ky imazh homelia e Papës për të shpjeguar pastaj edhe motivin. Jezusi qan sepse kujton historinë e “popullit të vet”. Nga njëra anë kemi dashurinë e “pamasë” të Zotit e nga ana tjetër “përgjigjen e popullit egoist, shpresë humbur, idhujtar”: një “dashuri e çmendur e Zotit për popullin e vet”, thotë Papa Françesku, “mund të duket një besëtytni por nuk është e tillë”. Vërtet Jezusi i përkujton hapat e profetëve, si Hozea e Jeremia, kur e shprehnin dashurinë e Zotit për Izraelin. Gjithnjë në Ungjillin e ditës së sotme Jezusi ankohet edhe: “sepse nuk e kuptoi ditën kur qe vizituar”:

“Është kjo dhimbja e fortë në zemër të Jezu Krishtit, është kjo histori e pabesisë, kjo histori që nuk i njeh përkëdheljet e Zotit, dashurinë e Hyjit, të një Hyji të dashuruar që të kërkon, që kërkon që edhe ti të jesh i lumtur. Jezusi pa në atë moment se çka po e priste si Bir. E qau...’Sepse ky popull nuk e kuptojë kohën ku qe vizituar’. Kjo dramë nuk ka ndodhur vetëm në histori e nuk ka mbaruar me Jezusin. Është dramë e përditshme. Është edhe dramë e imja. Mund ta thotë çdonjëri prej nesh: ‘Unë di ta kuptoj e njoh kohën në të cilën kam qenë vizituar? A më viziton Zoti?””.

Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit nënvizoi se mes tjerash dje Liturgjia na bëri të reflektojmë mbi tre momentet e vizitës së Zotit: për të korrigjuar, për të hyrë në bashkëbisedim me ne, e “për t’u ftuar në shtëpinë tonë”. Kur Zoti dëshiron të të korrigjojë, të fton të ndryshosh jetën. Kur dëshiron të flasë me ne thotë: “Unë trokas në portë e thërras. Hape!”. E edhe Zakeut, për t’u ftuar në shtëpi, i thotë të zbresë nga pema. Papa Françesku kërkon pra të pyesim se si është zemra jonë, të “bëjmë rrëmimin e ndërgjegjes, të pyesim nëse “di t’i dëgjoj fjalët e Jezusit” kur troket “në portën time” e thotë: “Korrigjohu!”. Çdonjëri kalon përmes një rreziku:

“Çdonjëri prej nesh mund të bie në të njëjtin mëkat të popullit të Izraelit, në të njëjtin mëkat të Jerusalemit: të mos e kuptojë kohën në të cilën kemi qenë vizituar nga Zoti. E çdo ditë Hyji na viziton, çdo ditë trojet në portën tonë. Mirëpo duhet të mësojmë ta njohim këtë, për të mos përfunduar në atë situatë aq të dhimbshme: ‘Kur sa më shumë i desha, sa më shumë i ftova, aq më shumë largoheshin prej meje’. ‘Po jo, unë jo sigurisht, unë kam punët e mia në rregull...unë shkoj në Meshë, janë i sigurt...’. Ti a bënë çdo ditë një rrëmim të ndërgjegjes mbi këtë? Sot Zoti më ka vizituar? A kam dëgjuar ndonjë thirrje, ndonjë frymëzim për ta ndjekur sa më afër, për të bërë vepra bamirësie e dashurie, për t’u lutur pak më shumë? Nuk di, por  vërtetë janë aq shumë sendet për të cilat Zoti na thërret çdo ditë për t’u takuar me ne”.

 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.