2016-11-17 17:26:00

Një arkë solidare prej çokollate, në Vatikan


Një arkë, që peshonte 250 kilogram, prej çokollate të pastër, krijuar përmes një nisme solidariteti, arriti në Sheshin e Shën Pjetrit, në audiencën e Papës Françesku, të mërkurën e kaluar, më 16 nëntor. Ëmbëlsira e çuditshme, që i ngjiste Arkës së Noehut e, prej këndej, edhe quhej arkë solidare, u krijua nga pastiçerët e pastiçerisë së Torinos, Kapitani i Kuq e asaj të Gjenovës, Antonio Le Rose, që punuan nga 11 deri më 15 nëntor pranë Pavijonit të Balenave, në Akuariumin e Gjenovës, shndërruar, me këtë rast, në laborator të mirëfilltë ëmbëlsie e solidariteti.

Si u krye plotësisht barka biblike prej çokollate, në të u ngjitën udhëtarët, edhe ata prej çokollate, natyrisht. Atëhere barka u nis në detin e solidaritetit e iu dhurua Shoqatës “Le Band degli Orsi” (Strofka e Arinjve), që ka si mision përmirësimin e kushteve të jetës të të vegjëlve, shtruar në spitalin Gaslini të Gjenovës dhe prindërve të tyre. Po ata vendosën që barka të mos ndalej aty. Atëhere barka prej çokollate vijoi lundrimin drejt katedrales së Shën Lorencit, e prej aty, drejt Romës. E hodhi “spirancën” pastaj, në Sheshin e Shën Pjetrit, ku iu paraqit Papës. Për t’u nisur përsëri drejt limanit të fundit, Spitalit të Krishtit Fëmijë të Palidoros, ku priste që fëmijët e spitalit të imbarkoheshin në të, për të vijuar shtegtimin plot aventura, drejt portit të ëndrrave. Po fëmijëve u pëlqei më shumë ta hanin, sesa të lundronin me këtë barkë të çuditshme. E ndanë, kështu, ndërmjet tyre, drejtësisht, me rrema, me timon e me udhëtarë, duke kaluar ca çaste vërtet përrallore, Solidariteti mund të ketë edhe formën e barkës. Madje kjo u pëlqen më shumë fëmijëve, që hynë me këtë barkë prej çokollate jo vetëm në botën e ëmbëlsirave, por edhe në atë të Biblës!








All the contents on this site are copyrighted ©.