2016-11-16 13:56:00

Papa: t’i durojmë njerëzit e mërzitshëm, siç jemi shpesh edhe ne vetë


Jemi gjithnjë gati t’i tregojmë me gisht njerëzit e mërzitshëm, duke harruar se shpesh jemi kështu edhe ne vetë! E pohoi Papa në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, e fundmja e Jubileut të Mëshirës, që do të mbyllet të dielën e ardhshme. Katekizmi i sotëm iu kushtua veprës së mëshirës, që të fton t’i mbartësh me durim njerëzit e mërzitshëm. Françesku kërkoi që të gjithë të bëjnë rrëmimin e ndërgjegjes e të vihen në vendin e të tjerëve, atyre që i mërzisin!

Filli i kuq i audiencave të fundit ishte pikërisht ai i veprave të mëshirës, e katekizmi i sotëm, ftesë për të qenë durimtarë e për t’i mbartur njerëzit e bezdisshëm, pa harruar edhe detyrën për t’i këshilluar, për shembull fëmijët e katekizmit. Të shumtë besimtarët sot, në Sheshin e Shën Pjetrit, nën një diell, që ndriste e ngrohte. Ishin mbledhur për të ndjekur  audiencën e përgjithshme, pak ditë para 20 nëntorit, kur do të mbyllet Porta Shenjte.  

T’i durojmë të mërzitshmit, siç jemi shpesh edhe ne vetë për të tjerët

Jezusi në Ungjill na kërkon të mos e shikojmë lëmishtën në syrin e tjetrit, po traun, në syrin tonë. Jemi të gjithë të gatshëm të bëjmë vërejtje për njeriun, që të bezdis me ankime, përgojime, kërkesa, vetëlavdata:

“Ndodh nganjëherë që njerëz të bezdisshëm janë edhe ata, që i kemi pranë, fare pranë! Edhe në farefis e kemi gjithnjë ndonjë, se ma në vendin e punës nuk mungojnë kurrë; e nuk na mungojnë as në kohën e lirë. Ç’duhet të bëjmë, atëhere, me njerëzit e mërzitshëm? Pa harruar se shpesh jemi edhe ne vetë të tillë? Edhe ne…!”.

Zoti na mëson të vihemi në vend të të  tjerëve e të bëjmë rrëmimin e ndërgjegjes

Në Bibël vetë Zoti i duron me mëshirë ankimet e popullit të vet, i cili një herë ankohet për Egjiptin, pastaj për mungesën e ushqimit e vijon e vijon të ankohet. Zoti e duroi Moisiun kur, duke dashur të ndërmjetësojë për popullin, u bë vërtet i mërzitshëm, gjë që e kuptoi fare mirë edhe ai vetë. E  pastaj u bë ai për popullin, duke ia mësuar përmasën themelore të fesë. Para së gjithash duhet të pranojmë se jemi mëkatarë, për të mundur kështu, të jemi durimtarë edhe me të tjerët:

“Lind vetvetiu pyetja e parë: ‘Po, a e bëjmë ndonjëherë rrëmimin e ndërgjegjes, për të parë nëse edhe ne mund t’i mërzisim të tjerët?’. Është gjë e lehtë t’i tregosh me gisht të metat e kufizimet e të tjerëve, ndërsa do të ishte më mirë të vihemi në vendin e tyre”.

Shoqërim, jo zili e ambicie

Jezusit iu desh shumë herë të jetë i durueshëm. Papa kujtoi episodin kur nëna e Jakobit dhe e Gjonit i kërkoi që, kur të hynte në Mbretëri, bijtë e saj të ulen njëri në të djathtën e tjetri në të majtën e Tij. Nga kjo situatë, Jezusi merr shtytjen për të dhënë një mësim: “Duhet shkuar në thelb! Nga një gjë e keqe, mund të dalë një mesazh pozitiv”:

“Të mendojmë për angazhimin e madh që mund të marrim për t’i ndihmuar njerëzit të rriten në fe e në jetë. Mendoj, për shembull, për katekistët - ndërmjet të cilëve janë shumë nëna e edhe shumë rregulltare – që nuk e kursejnë kohën për t’u mësuar fëmijëve elementet bazë të fesë. Sa lodhje, posaçërisht kur fëmijëve u pëlqen më shumë të luajnë, sesa të dëgjojnë katekizmin!”.

Të shoqërosh në kërkimin e thelbësores është gjë e bukur dhe e rëndësishme - theksoi Françesku - sepse të bën të shikosh kuptimin e jetës: shpesh ka njerëz që ndalen tek gjërat kalimtare, pikërisht sepse nuk kanë takuar ndokënd, që i nxit të kërkojnë thesaret e vërteta.

T’i mësosh të tjerët të shikojnë themeloren, është ndihmë vendimtare, posaçërisht në një kohë si e jona, që duket sikur e ka humbur drejtimin e  kërkon kënaqësi frymëshkurtëra. T’i mësosh të kërkojnë ç’dëshiron Zoti nga ne e si mund t’i përgjigjemi, do të thotë t’u tregosh udhën për të gjetur thirrjen e tyre të vërtetë, udhën e gëzimit të vërtetë.

Jezusi na mëson të mos biem në tundimin, i cili u zë pritë edhe të krishterëve, tundim, që na shtyn të bëhemi ziliqarë e ambiciozë. Në këtë rast duhet të hyjmë brenda vetes për të parë mirë nëse e bëjmë vetë të parët, atë që u kërkojmë të tjerëve.

Po mbyllet Porta Shenjte, por jo zemra e mëshirshme e Zotit

Në përfundim, gjatë përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa kujtoi se së shpejti do të mbyllet Porta Shenjte e Jubileut të Mëshirës. Mbyllet Porta…:

“…por nuk mbyllet zemra e mëshirshme e Zotit, nuk shuhet dhembshuria e Tij për ne, mëkatarët, nuk pushojnë së gurruari lumenjtë e hirit të tij. Nuk mund të mbyllen as zemrat tona, e as nuk mund të pushojmë së bëri vepra mëshire ndaj nevojtarëve. Uroj që përvoja e mëshirës së Zotit, që e jetuam gjatë këtij Viti jubilar, të mbetet në ju si frymëzim dashurie të krishterë për të afërmin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.