2016-11-16 14:49:00

Papa ipeshkvijve të SHBA-ve: të thirrur të shembin mure e të ndërtojnë ura


Një javë pas zgjedhjeve në SHBA, ipeshkvijtë amerikanë, në hapje të asamblesë së tyre të përgjithshme, në Baltimora, kërkuan nga administrata e re Trump, të ndjekë një politikë njerëzore ndaj emigrantëve dhe refugjatëve, ndërsa mbrëmë, në një videomesazh drejtuar ipeshkvijve të SHBA-ve, Papa Françesku e ftoi Kishën amerikane të krijojë kulturën e takimit: t’i inkurajojë individët dhe grupet ta ndajnë bashkërisht pasurinë e traditave dhe të përvojës së tyre, të shembin mure e të ndërtojnë ura.

The Church in America, as elsewhere, is called…

Kisha në Amerikë, ashtu si gjetiu, është e thirrur të dalë nga ambienti i saj i sigurt e të jetë tharm i bashkimit. Bashkim ndërmjet nesh e të krishterëve të tjerë dhe të gjithë atyre, që kërkojnë një ardhmëri plot me shpresë.

Duke kujtuar shtegtimin e tij në SHBA-të, Papa Françesku nënvizoi se mbeti i prekur thellë nga gjallëria e bashkësisë katolike. Gjatë gjithë historisë - kujtoi - Kisha në vendin tuaj ka mikpritur e ka integruar valë të reja emigrantësh. Në larminë  e gjuhëve dhe të traditave të tyre kulturore, ata krijuan fytyrën gjithnjë në ndryshim të Kishës amerikane.

The Christian community is meant to be a sign and prophecy of God’s plan...

Bashkësia e krishterë - vijoi akoma Papa duke iu drejtuar ipeshkvijve amerikanë - duhet të jetë shenjë profecie në planin e Zotit për mbarë familjen njerëzore. Jemi të thirrur për të qenë mbartës të lajmeve të mira, në një shoqëri të kapërthyer nga ndryshime shqetësuese shoqërore, kulturore e shpirtërore, si dhe nga një polarizim në rritje. Në mënyrë të veçantë, ju kërkoj të mendoni mirë sesi do të mund t’i përgjigjen Kishat tuaja pranisë në rritje dhe dhuratave e forcës së bashkësië hispanike. Duke pasur parasysh edhe kontributin, që i jep bashkësia hispanike jetës së kombit, lutem që Encuentro - tha akoma Papa, duke kujtuar ngjarjen e afërt baritore të besimtarëve hispanikë në SHBA-të, që në pjesën më të madhe të bashkësive përbëjnë shumicën - të sjellë fryte për përtëritjen e shoqërisë amerikane dhe për apostullimin e Kishës në SHBA-të.








All the contents on this site are copyrighted ©.