2016-11-16 18:32:00

Kardinali Montenegro: Evropa është e paaftë ta shikojë ardhmërinë


U mbajt këto ditë, seminari titulluar “Për një Evropë  no exit. Bashkim i të drejtave, strehimit, përfshirjes” organizuar nga Karitasi Italian. Takimi u përqendrua kryesisht tek tema e flukseve të emigrantëve dhe rreziqeve politike populiste, pa e humbur nga sytë edhe atë, që është shpresë për Kontinentin e vjetër. Folëm për këtë me kardinalin Francesco Montenegro, kryeipeshkëv i Argrixhetos:

Deri më sot nuk mund të themi se Evropa ka shumë shpresa, sepse me sa shikojmë Kontinenti po tregon shumë egoizëm e shumë paaftësi në përballimin e problemeve, atyre probleme të mëdha, që po bëhen provë, termometër i situatës. Prej këndej, në vend të Evropës, që nëse dëshiron të shikojë ardhmërinë, duhet të jetë e zonja të zgjedhë rrugë të guximshme, gjejmë një Evropë  të vockël, të copëzuar, të paaftë për të shikuar drejt së ardhmes. Kjo është përshtypja ime. Jo për të bërë “Kasandrën” e situatës, por duke parë e duke lexuar, njeriu nuk mund të mos e mendojë këtë. Një përvojë e vogël: kur pata shkuar në Këshillin Evropian, që të flisja me Kryetarin e me disa deputetë, u pa qartë - e këtë e kam thënë disa herë -  se njeriu nuk është në qendër, por në qendër është ekonomia e financa. Ja pra, pse pastaj njeriu nuk merret fare parasysh e nuk trajtohet, si e meriton.

Në fjalimin e paharrueshëm, mbajtur gjatë dorëzimit të Çmimit “Karli i Madh”, Ati i Shenjtë foli për një Evropë të kapitur e të plakur, që duket se i ka humbur aftësitë për të krijuar njerëz të rinj e gjëra të reja. Prej kah duhet të niset për ta bërë këtë, sipas jush?

Një Evropë, së cilës mund t’i besohet, duhet të rilexojë faqet e para të historisë së saj, kur, në një farë mënyre, dëshironte të shikonte drejt së ardhmes, dëshironte t’i bashkonte pasuritë, që secili mund t’i vinte në dispozicion të të tjerëve, për të hapur, kështu, një rrugë të re. Kush e themeloi Evropën, besoi në të, por me kalimin e kohës, ky besim u tret e vendin e së mirës së përbashkët e zuri e mira lokale, personale,  e kështu u zhduk edhe e ardhmja. Urohet të nisë një shkundje e fortë, që të gjithë të mund të shikojnë në të njëjtin drejtim, të shikojnë gjoksin e jo vetëm kurrizin.

 Ju mendoni se ekziston rreziku i populizmit?

 Rreziku është në vijim, sepse  t’i hipësh kalit të frikës, të populizmave, është shumë më e lehtë, sesa të propozosh solidaritetin. Frika të pengon të respektosh, të bën të trembesh nga kushdo që të afrohet, e kështu tjetri bëhet gjithnjë armik i mundshëm. Ndërsa solidariteti të bën ta shikosh tjetrin, të detyron të shikosh edhe vetveten, që edhe ti të mund t’i japësh tjetrit çka ke më të mirë e ta bësh udhën bashkë me tjetrin!  

 Pra ju mendoni se mund të nisë gjithçka nga gjërat e vogla, nga njerëzit që takohen, me një fjalë nga poshtë … Thua të jetë e mundur?

Kjo, po, sepse historia nuk na thërret të jemi “Mjeshtër Lindo”  Mbinjerëz…: historia e secilit prej nesh kërkon atë, që mund ta bëjmë.  Nëse shikoj historinë e Lampeduzës, rimendoj për termoset që plakat i vinin pranë portës, për shtresat e mbulesat, që i kishin gjithnjë gati; nuk mund ta ndërronin historinë e botës, por historinë e ndonjë njeriu e ndërruan, sigurisht!








All the contents on this site are copyrighted ©.