2016-11-15 14:15:00

Papa Françesku: qetësia e të krishterëve të vakët gënjen


Kujdes, mos u bëni “të krishterë të vakët”, sepse kështu na humb Zoti nga sytë. Kështu tha sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë nënvizoi se Zoti përpiqet gjithnjë të na ndreqë, ta zgjojë nga gjumi shpirtin, që fle, por duhet të dimë ta dëgjojmë kur na troket në derë.

Qetësia na gënjen. Zoti nuk është aty

Papa Françeskumori shkas nga Zbulesa e Gjonit, Leximi i parë i liturgjisë së sotme, ku kritikohen të krishterët “e vakët” të Kishës së Laodicesë. Janë të krishterë “as të ftohtë, as të ngrohtë” e atyre Hyji u thotë: “do të të vjell prej gojës sime”. Ajo qetësi e njerëzve të vakët është e rreme, nënvizoi Papa. Është qetësi, që gënjen:

“Por çfarë mendon njeriu i vakët? E thotë Zoti, këtu: mendon se është i pasur. ‘Jam pasuruar e s’kam nevojë për gjë. Jam i qetë’. Ajo qetësi gënjen. Kur në shpirtin e Kishës, të një familjeje, të një bashkësie, të një personi, gjithçka është përherë e qetë, aty nuk është Zoti”.

Pasuria e njerëzve të vakët nuk vjen nga Zoti

Papa Bergoglio u kërkon të krishterëve të mos flenë mbi dafina, me bindjen se s’kanë nevojë për asgjë, se s’po i bëjnë keq askujt. Zoti i quan të mjerë, skamnorë, i shkund mirë nga vaktësia e jetës së tyre, në mënyrë që t’i nxisë të kërkojnë atë pasuri, që mund ta japë vetëm Hyji:

“Jo atë pasuri të shpirtit, që t’i kujton se e ke, sepse je i mirë, i bën mirë të gjitha gjërat, gjithçka me qetësi: është tjetër pasuri ajo, që vjen prej Zotit, që gjithnjë mbart një kryq, gjithnjë sjell furtunë, gjithnjë sjell ndonjë shqetësim në shpirt. E këshillon njeriun ‘të blejë petka të bardha që të vishet dhe të mos shihet turpi i lakuriqësisë së tij’. Të vaktit nuk e kuptojnë se janë lakuriq, ashtu si në përrallën e mbretit pa rroba, ku vetëm fëmija tha: ‘Mbreti është lakuriq!’… Njerëzit e vakët janë lakuriq”.

Ta kuptojmë, kur Zoti na troket në derë

Njerëzit e vakët, vijoi Papa Françesku, e humbin aftësinë e kundrimit, aftësinë për të parë gjërat e mëdha e të bukura të Zotit. Prandaj, Hyji përpiqet t’i shkundë, t’i zgjojë, troket në derën e tyre, për t’i ftuar të ndryshojnë, për t’u dhënë diçka të bukur, për të hyrë në zemrën e tyre, ashtu siç bën me të gjithë. Por, ka të krishterë, që nuk e dëgjojnë këtë trokitje, pasi për ta, të gjitha zhurmat janë njëlloj. Por Zoti troket edhe që ne ta ftojmë, ashtu siç ndodh me Zakeun në Ungjillin e sotëm. Ai kuriozitet i Zakeut, theksoi Papa, është dikuar nga Shpirti Shenjt:

“Iniciativa vjen nga Shpirti i Zotit: Zoti është aty, rri. Ngre sytë e thotë: ‘Eja, më fto në shtëpinë tënde’. Zoti rri… qëndron gjithnjë me dashuri: ose për të na ndrequr, ose për të na ftuar për darkë, ose për të na lënë ta ftojmë. Rri aty, për të na thënë: ‘Zgjohu’. Rri aty, për të na thënë: ‘Hapu’. Rri aty, për të na thënë: ‘Zbrit’. Por është gjithnjë po Ai. A di unë të dalloj, brenda zemrës, kur Zoti më thotë ‘zgjohu’? Kur më thotë ‘hapu’? Kur më thotë ‘zbrit’? Shpirti Shenjt na dhashtë hirin për të ditur t’i dallojmë këto thirrje të Hyjit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.