2016-11-15 14:27:00

Papa denoncon: ekziston një degradim njerëzor, etik e shoqëror


Jetojmë në një moment të “degradimit njerëzor, etik e shoqëror”. Këtë denoncon Papa Françesku, në mesazhin e tij drejtuar Salaheddine Mezouar, ministrit të Punëve të Jashtme e të Bashkëpunimit të Mbretërisë së Marokut dhe Presidentit të sesionit të 22-të të Konferencës së Shteteve Anëtare të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimaterike – (COP22) – që po zhvillohet në Marrakesh.

“Situata aktuale e degradimit të ambientit, lidhet ngushtë me degradimin njerëzor, etik e shoqëror, që mjerisht e përjetojmë çdo ditë, prandaj ngre pikëpyetje për të gjithë dhe kërkon nga secili prej nesh, sipas rolit e kompetencës, të japë kontributin për mbrojtjen, ruajtjen dhe zhvillimin e ambientit, për të mirën e familjes njerëzore, e për këtë arsye mblidhemi këtu me ndërgjegjësim e përgjegjësi të përtërirë”, nxit Papa duke kujtuar se kjo mbledhje e COP22 arrin pak pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Parisit, miratuar para një viti.

“Miratimi i kësaj marrëveshjeje – pohon Papa Françesku – përfaqëson vetëdijen përballë tematikave kaq të ndërlikuara siç është ndryshimi klimaterik. Nismat individuale a kombëtare nuk janë më të mjaftueshme, por është e domosdoshme të zbatojmë marrëveshjen në mënyrë konkrete e reale me ndërgjegjësim kolektiv për të bashkëpunuar për ndërtimin e shtëpisë sonë të përbashkët”.

“Marrëveshja e Parisit – nënvizon Papa – ka përvijuar një udhë të qartë, ndaj së cilës i tërë komuniteti ndërkombëtar është i thirrur të impenjohet; COP22 përfaqëson një etapë qendrore të kësaj udhe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.