2016-11-14 15:04:00

Papa: veprat e mëshirshme ilaçi më i mirë kundër virusit të indiferencës


“Në një botë të goditur nga virusi i indiferencës, veprat e mëshirshme janë ilaçi më i mirë”. Këtë nënvizoi sot, në një tweet të ri, botuar në faqen @Pontifex, Papa Françesku.

Ditë më parë, pikërisht në fillim të muajit nëntor, Papa Françesku në videomesazhin për ndjetin a qëllimin e lutjes për këtë muaj, nxit përsëri të gjithë të angazhohen për solidaritetin  për të ndihmuar strehimin e mërgimtarëve e refugjatëve. A mundet një vend t’i bëjë ballë i vetëm vështirësive që prodhon emigrimi i detyruar? Kjo, pyetja që Papa Françesku na e drejton ne të gjithëve në videomesazhin për ndjetin e lutjes të muajit nëntor. Papa flet përsëri për temën e tij të dashur: kujdesin për emigrantët. Kërkon të kapërcehet indiferenca dhe frika ndaj tjetrit, ndaj njeriut që vjen nga larg e duhet mikpritës. Ndërsa para syve të shikuesit parakalojnë fytyra njerëzish të etnive  të ndryshme, Papa pohon se tjetri mund të jetë secili nga ne. Prej këndej, ftesa për t’u bashkuar me lutjen e tij: “Që vendet, të cilat strehojnë një numër të madh emigrantësh e refugjatësh, të mbështeten në angazhimin e tyre të solidaritetit”.

Ndërsa në homelinë e Meshës së 13 nëntorit, Papa Franòesku duke komentuar leximet biblike të liturgjisë së Fjalës, kërkoj të “Të punojmë për të krijuar një kulturë të vërtetë takimi, që të fitojë mbi kulturën e indiferencës.. Ati i Shenjtë Bergoglio vuri theksin në takimin e Zotit me popullin e vet dhe këshilloi të heqim dorë nga zakoni i keq për të mos e dëgjuar tjetrin, që nganjëherë, zë vend edhe në familje.

Fjala e Zotit, e cila përshkruan ngjalljen e djalit të vetëm të vejushës së Nainit, na bën sot të reflektojmë mbi takimin, nënvizoi Papa. Shpesh, njerëzve u kryqëzohen udhët, por nuk takohen. Secili mendon vetëm për vete, sheh por nuk vështron, dëgjon po nuk ua vë veshin fjalëve: “Takimi është tjetër gjë, është ai që kumton sot Ungjilli: një takim ndërmjet një burri e një gruaje, ndërmjet një biri të vetëm të gjallë e një biri të vetëm të vdekur; ndërmjet një turme të lumtur, sepse kishte takuar Jezusin dhe e ndiqte, e një grupi njerëzish, që duke qarë, shoqëronin atë grua, që dilte nga porta e qytetit; takimi ndërmjet portës së daljes e portës së hyrjes. Oborri. Takim, që na bën të reflektojmë mbi mënyrën si rrimë bashkë”.

Çdo takim, theksoi Papa Françesku, duhet t’i rivendosë gjërat dhe njerëzit në vendin e tyre:“Ne jemi mësuar me kulturën e indiferencës e duhet të punojmë e të kërkojmë hirin për të krijuar kulturën e takimit, të këtij takimi të frytshëm, të këtij takimi, që i kthen çdo njeriu dinjitetin e vet si bir i Hyjit, dinjitetin e të gjallëve. Jemi mësuar me indiferencën kur shohim fatkeqësitë e kësaj bote, ose gjërat e vogla: ‘Mëkat, të shkretët njerëz, sa vuajnë’ e pastaj, kalojmë përtej. Por nëse nuk shoh – e nuk mjafton të shohësh, duhet të vështrosh mirë – nëse nuk ndalem, nuk prek me dorë, nuk flas, nuk takohem vërtet e nuk mund të ndihmoj në krijimin e kulturës së takimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.