2016-11-13 18:15:00

Panairi i librit në Tiranë 9-13 nëntor 2016 me pjesëmarrje të shtëpive botuese të Kishës katolike


Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, prej datës 9 nandor u hap Panairi i librit 2016. I mbyllun dje, ishte nji ngjarje  e madhe për librin në gjuhën shqipe. Në Panair morën pjesë të gjitha shtëpitë botuese në Shqipni dhe Kosovë.

Në ketë panair, si çdo vit ishin të pranishëm edhe Fretënt Françeskanë me Botimet Françeskane dhe Jezuitët me botimet e tyne. Stenda e Botimeve Françeskane u paraqit me kryeveprat e letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Aty nuk munguen veprat e At Gjergj Fishtës, At Anton Harapit, At Justin Rrotës, At Bernardin Palajt, At Donat Kurtit, Imzot Vinçenc Prennushit, At Zef Pllumit, At Daniel Gjeçajt, etj. Përveç autorëve Françeskanë, patëm edhe studime të ndryshme gjuhësore dhe historike. Lexuesit shqiptarë iu paraqit mundësia për të zgjedhur në fushat ma kryesore të kulturës shqiptare.

Patëm edhe prumje të reja, siç ishin botimet përmbi 100-vjetorin e Shtypshkrojes françeskane, Studime për Gjeçovin, Librin antikuar për bibliotekën françeskane, Lot-lavdi-lumnim i Sami Repishtit dhe sidomos kemi botue mbas shumë viteve, Vjershat e Luigj Gurakuqit.

Me françeskanët, Luigj Gurakuqin e ka pasë lidhë nji miqësi e madhe, që karakterizohej nga marrëdhanie shpirtnore e atdhetare. Për t’u vu në pah miqësia e Gurakuqit me At Gjergj Fishtën e At Anton Harapin. Luigj Gurakuqi mbetet nji ndër personalitetet që i ka dhanë shumë popullit shqiptar. U vra pabesisht në Bari të Italisë, veshë me një këmishë të arnueme. Ndërkohë, përpara se me u vra, në Shqipni, qe Ministër Financet.

Prandej pjesëmarrja e Shtëpive botuese të Kishës katolike Shqiptare edhe ketë vit në Panairin e librit pati randësi të posaçme, si shprehje e vazhdimësisë kulturore të françeskanëve e të mbarë Kishës katolike, përmes librave që ruajnë traditën shpirtnore e kombëtare, krijue tash sa shekuj ndër shqiptarë.

Për Radio Vatikanin, atë Vitor Demaj OFM








All the contents on this site are copyrighted ©.