2016-11-13 18:48:00

Me Meshën e atë Sosa-s, përfundoi Kongregacioni i përgjithshëm i Jezuitëve


U kremtua dje pasdite, në Kishën e Shën Injacit të Lojolës, në Romë, Mesha për mbylljen e Kongregacionit të 36-të të përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit. Eukaristia e falënderimit u kryesua nga Eprori i përgjithshëm i Shoqërisë, atë Arturo Sosa, në bashkëkremtim me delegatët dhe me jezuitët rezidentë në qytet.

Në homelinë e rastit, atë Sosa kujtoi se ushtrimet shpirtërore të Shën Injacit duhet të bazohen mbi kundrimin, si mjet për të arritur tek dashuria  e Zotit i cili, duke dërguar Birin e vet në botë, dëshiron të njihet si Ai, që është dashuri: “Dashuria duhet treguar më shumë me vepra, sesa ma fjalë – vijoi atë Sosa – e ky është shkëmbim në të cilin secili nesh dhuron gjithçka ka e gjithçka është”.

Të tronditur nga dëshmitë e vëllezërve në zonat e luftës

Atë Sosa tregoi, pastaj, se të gjithë pjesëmarrësit u tronditën nga dëshmitë e vëllezërve, që e kryejnë misionin në kushte lufte. Plagët e luftës, siç dihet, shkaktojnë rritjen e numrit të refugjatëve dhe shtimin e vuajtjeve të tyre. Pabarazia ndërmjet popujve dhe brenda kombeve, është shenjë që tregon se bota e përbuz dashurinë për njeriun – tha ati i përgjithshëm i jezuitëve - duke saktësuar se politika, si art i bisedimeve për të mirën e përbashkët, vijon të bëhet gjithnjë më e ligshtë.

Të shikohet bota me syrin e të varfërit

“Misioni ynë – vijoi atë Sosa – na bën ta shikojmë botën me sytë e të varfërve e na shtyn të bashkëpunojmë me ta  për të ndërtuar jetën e vërtetë. Ky mision na fton të shkojmë në periferitë e botës e ta kuptojmë që prej atje se si mund të përballohet kriza, që e vë në rrezik jetën mbi Tokë”.  Eprori i përgjithshëm i jezuitëve nënvizoi këtë, si angazhim të ri të Shoqërisë së Jezusit e mjet të frytshëm për të luftuar cektësinë dhe ideologjinë: “Ta predikojmë Ungjillin kudo, gjithnjë të ngushëlluar nga dashuria e Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.