2016-11-13 08:00:00

Audienca jubilare e Papës: ashtu si Krishti, të mos përjashtojmë askënd


Veçanërisht emocionues takimi i djeshëm i Papës Françesku me të pastrehët e me të mënjanuarit e shoqërisë, që e mbushën Vatikanin me ngjyra, me lloj-lloj gjuhësh e veshjesh. Vetëm nga vendet e ndryshme të Evropës erdhën rreth 3.500 vetë për të ndjerë si dje, ashtu edhe sot, se Kisha i do, se Papa i pret e se Krishti e ka dhënë jetën e vet edhe për ta.

Siç e thamë, katekizmi i Atit të Shenjtë në audiencën e përgjithshme jubilare u përqendrua në “përfshirjen”, në atë akt të mëshirshëm të Zotit, që nuk përjashton askënd, duke na ftuar ta ndjekim e ta imitojmë. “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh”. Kjo pjesë e Ungjillit të Mateut e nxiti Papën të sqarojë se askush nuk përjashtohet nga kjo thirrje e Hyjit e nëse jemi vërtet të krishterë, ndjekës të Krishtit, edhe ne duhet “t’i hapim krahët për të pritur, pa i përjashtuar; pa i klasifikuar të tjerët mbi bazën e gjendjes shoqërore, të gjuhës, të racës, të kulturës, të fesë”. Para nesh, theksoi Ati i Shenjtë, ekziston vetëm njeriu, të cilin duhet ta duam, ashtu si e do edhe Zoti.

Papa Françesku përmendi njerëzit e shumtë, të lodhur e të shtypur, që takojmë edhe sot në rrugë, në zyra, në spitale. Sytë e Krishtit kthehen drejt tyre përmes nesh, prandaj duhet ta pyesim veten a jemi të mëshirshëm sa duhet, sa i përfshijmë të tjerët në jetën tonë e të shoqërisë. Fjalët e Krishtit, krahët e hapura të Tij, na tregojnë se askush nuk përjashtohet nga dashuria e mëshira e Hyjit. Kemi nevojë për faljen e Tij, vërejti Papa. Kemi nevojë të takojmë vëllezër e motra, që na ndihmojnë të shkojmë drejt Jezusit. “Të mos e pengojmë njëri-tjetrin – qe thirrja e Atit të Shenjtë. Të mos përjashtojmë askënd! Madje, me përvuajtëri e thjeshtësi të bëhemi mjete të mëshirës gjithëpërfshirëse të Atit Qiellor. Shenjtja Kishë Nënë të jetë zgjatim në botë i përqafimit të madh të Krishtit të vdekur e të ngjallur. Edhe ky shesh, ky kolonat – e hodhi Papa vështrimin mbi kolonatin e Berninit – e shpreh këtë përqafim. Të përfshihemi edhe ne në këtë lëvizje të mospërjashtimit të të tjerëve, për të qenë dëshmitarë të mëshirës, me të cilën Zoti priti e pret secilin prej nesh”.

Dje në orën 17.00, të pastrehët u mblodhën për Vigjiljen e lutjes në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve. Ata kaluan Portën Shenjte, pasi kishin dëgjuar në kisha të ndryshme romake, dëshmitë e përvojën e fesë të disa prej tyre e të vullnetarëve, që i ndihmojnë, në grupet e ndara sipas gjuhës.








All the contents on this site are copyrighted ©.