2016-11-12 13:53:00

Papa në audiencën e fundit jubilare: Zoti nuk përjashton askënd


“Mëshirë e përfshirje”: kjo, tema e zgjedhur nga Françesku për katekizmin e audiencës së sotme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Ishte audienca e fundit jubilare e së shtunës, që na kujton edhe afrimin e përfundimit e këtij Viti Shenjt të jashtzakonshëm të Mëshirës. Gjatë përshëndetjeve, një mendim i Papës për të krishterët e persekutuar të Lindjes së Mesme e edhe një falënderim për vullnetarët e shumtë të Jubileut.

“Ejani tek unë, o ju që jeni të lodhur e të shtypur, e unë do t’ju jap pushim e prehje'. Fjalët e Jezusit, shkëputur nga Ungjilli i Shën Mateut, janë të shkruara sipas stilit të Zotit, një Zoti që - tha Papa - në planin e Tij të dashurisë, nuk dëshiron ta përjashtojë askënd. Përkundrazi, dëshiron t’i përfshijë të gjithë”.

E në vijim, duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, Françesku theksoi me forcë:

“Ai që takoj në punën time e në lagjen time, është njeri që duhet dashur, ashtu si do Zoti. ‘Po ky është prej këtij vendi … është prej një vendi tjetër, beson në këtë fe e në  atë fe…’. Është njeri që e do Zoti, e duhet ta dua edhe unë. Kësaj i thonë të përfshish, e kjo është përfshirja” .

Në përfundim të katekizmit, në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve polakë, të pranishëm në Shesh, Papa kujtoi se nesër, në Poloni, me nismën e Shoqatës “Ndihmë për Kishën që Vuan”, do të kremtohet Dita e Solidaritetit me Kishën e Persekutuar:

“Rrethanat shqetësuese dhe të dhimbshme aktuale na nxisin t’i mbështesim me lutjen tonë të flaktë e edhe me ndihma konkrete vëllezërit tanë, që jetojnë në Irak e në vendet e tjera të Lindjes së Mesme. I lartojmë Zotit lutjen, që askush në botë të mos e ndjejë veten të përjashtuar nga shoqëria për  shkak të fesë, të kulturës a të racës”.

Një përshëndetje posaçërisht të përzemërt Papa ua drejtoi vullnetarëve të Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës, ardhur nga kombe të ndryshme:

“Ju falënderoj për shërbimin tuaj të çmuar në ndihmë të shtegtarëve, që të mund ta jetonin mirë këtë përvojë feje. Gjatë këtyre muajve e vërejta  praninë tuaj në shesh, me logon e Jubileut, e ju admirova për përkushtimin, për durimin dhe entuziazmin, me të cilin e kryet  detyrën tuaj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.