2016-11-11 10:54:00

Papa në gazetën Repubblica: të kuptohen pasojat e veprimeve të politikanëve mbi të varfërit


“Nuk jap gjykime për njerëzit e për politikanët. Dëshiroj të kuptoj cilat janë vuajtjet që u shkakton të varfërve e të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë, mënyra sesi veprojnë”. Janë fjalët e Papës për Donald Trump, në një intervistë dhënë Eugenio Scalfarit, realizuar të hënën, më 7 nëntor, botuar sot në gazetën italiane “Repubblica”. Papa kujton edhe muret që  ndajnë njerëzit e që duhen shembur.

Trump, lufta kundër pabarazive, martirizimi i të krishterëve... Papa Françesku prek këto tema në intervistën dhënë Eugenio Scalfarit, realizuar ndonjë ditë para se të zgjidhej Trump në Shtëpinë e Bardhë. Papa nuk jep gjykime mbi Presidentin e ri të SHBA-ve, por kujton se interesohet kryesisht për pasojat, që kanë sjelljet e politikanëve mbi të varfërit e të përjshtuarit nga radhët e shoqërisë. Ja pra, pse - pohon me forcë Papa - duhet t’i shembim muret që ndajnë, të përpiqemi të rritet mirëqenia e ta bëjmë të përhapet sa më shumë kudo. Prandaj - vijon të theksojë - duhet luftuar kundër të gjitha pabarazive, parë si e keqja më e madhe që ekziston në botë. Kjo, e paraja, që e krijon.

E akoma, Papa është kundër luftërave: urrejtja për urrejtje - nënvizon - nuk bën tjetër, veçse ta thellojë mërinë, mllefin, të keqen në mbarë universin. Pyetjes së Scalfari-t për faktin se shumë vende po reagojnë edhe me armë për ta mundur Isis-in, Papa i përgjigjet: “Ne, të krishterët, kemi qenë gjithnjë martirë, e megjithatë, feja jonë ka pushtuar më se gjysmën e botës …. Dy miliard e gjysëm! A u deshën armë e luftëra për t’i fituar gjithë këta njerëz? Jo! U deshën Martirë? Po, e shumë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.