2016-11-11 16:07:00

Françesku të pastrehëve: falini të krishterët, që sjellin kokën nga ana tjetër


Papa Françesku u takua sot, një javë para mbylljes së Jubileut të Mëshirës, me mijëra të pastrehë, ardhur nga mbarë Evropa, në ditën e kujtimit të Shën Martinit të Turit, Shenjtit, i cili ndau mantelin e vet përgjysëm me të varfërin e zhveshur, që dridhej nga acari.

“Mos pushoni së ëndërruari. Por, si janë ëndrrat e një varfanjaku, një njeriu, që nuk ka çati mbi kokë? Ja, ëndërruat se një ditë do të mund të ishit në Romë e ëndrra u bë realitet: e kjo do të thotë se gjithçka mund të ndërrojë.”

Janë fjalët e shqiptuara nga Papa Françesku në takimin e sotëm “me të pastrehët”, që mbushnin përplot Sallën e Palit VI. Takim prekës, i sotmi,  një javë para mbylljes së Jubileut të Mëshirës. Takim që përfundoi me një gjest  simbolik: disa të pastrehë e rrethuan Papën, duke u lutur për të e duke i vënë mbi kokë duart e tyre të rreshkura nga mjerimi, ashtu si bëjnë grupet karizmatike.

Ishte një shkëmbim mendimesh, një bisedë e ngrohtë ndërmjet Atit e bijve, ky takim. Më preku shumë fjala e Robertit - kujtoi Papa. Ne - tha ai – si qenie njerëzore, nuk kemi asnjë ndryshim nga të mëdhenjtë e botës. Kemi pasionet tona, ëndrrat tona, që përpiqemi t’i realizojmë me hapa të vegjël”. Këtë e kujtoi posaçërisht Françesku, duke iu përgjigjur njërit nga 4 të pastrehët që e përshëndetën në fillim të takimit: 

“Pasioni e ëndrra! Pasioni - shtoi Françesku - që nganjëherë të bën të vuash, të krijon situata të vështira. Njëlloj si sëmundja, edhe pasioni për të  ecur përpara, pasioni i mirë, të bën të shikosh ëndrra të bukura e ta stolis e jetën”.

Sipas Papës, kush ka gjithçka i do zemra, nuk mund të ëndërrojë, sepse  është i zhgënjyer nga pasionet e nga egoizmi, që e bën indiferent  ndaj  të varfërve, të pafatëve, të harruarve nga shoqëria, në të cilën jeton krejt pa ëndrra. Duke harruar se ka njerëz, që nuk kanë gjë prej gjëje, por që besojnë në jetën dhe e jetojnë me dinjitet sepse – shpjegoi Papa – të jesh i varfër është një gjë, e tjetër është të zvarritesh përdhe pa dinjitet. Jo! “I varfër po, i shfrytëzuar, jo!”.

“Të përvuajturit - shtoi Ati i Shenjtë - e ndiqnin pas Jezusin, ngaqë ëndërronin se Ai do të mund t’i shëronte e t’i çlironte. E ndiqnin, e Ai i shpëtonte e i çlironte. Ëndrra, pasione, mos i harroni! Madje duhet të na i mësoni edhe ne, të gjithëve, ne, që nuk na mungon streha mbi kokë! Na mësoni, me ëndrat tuaja, se jeta është e bukur, na mësoni të mos ndjehemi të kënaqur, na mësoni, duke u nisur nga zemra e Ungjillit, që është pikërisht varfëria”.

Varfëria na shtyn t’ia zgjatim dorën, për ta ndihmuar, atij që është edhe më keq se ne”. Na e mësoni këtë, mësojani solidaritetin botës – u tha akoma Papa të pastrehëve - duke i ftuar ta vijojnë punën e tyre në favor të paqes, sepse “varfëria më e madhe është lufta, që shkatërron”. Ju ftoj të punoni për  paqen, e cila për ne, të krishterët, lindi në një stallë e me një familje, së cilës nuk ia hapi askush portën, askush nuk deshi t’i jepte një strehë. Punoni për atë paqe, që Zoti e do për secilin prej nesh. Ju, në varfërinë tuaj në gjendjen tuaj tejet të vështirë, mund të jeni artizanë të paqes!

Luftrat – përfundoi Papa - i bëjnë të pasurit, të shtyrë nga etja për më shumë territore, më shumë para, më shumë pushtet. Dhe është vërtet e trishtueshme kur luftërat bëhen ndërmjet të varfërve, sepse të varfërit duhet të jenë gjithnjë konstruktorë të paqes. Jepni, prandaj, shembuj paqeje! Kemi nevojë për paqen në botë, në Kishë, në të gjitha kishat. E edhe fetë kanë shumë nevojë, duke qenë lajmëtare të paqes, një paqeje, që vjen nga vuajtja e nga zemra në kërkim të harmonisë e të dinjitetit.

Çdo ditë në jetën tonë – tha në përfundim Papa - do të gjejmë më të varfër se ne vetë, e, prej këndej, e kemi për detyrë të jemi gjithnjë solidarë, t’ia japim një dorë atij, që vuan më shumë se ne”.

Takim tejet prekës, ky i ditës së parë të Papës me të pastrehët, që do të vijojnë kremtimin me Atin e Shenjtë edhe nesër, për të arritur kulmin me Meshën, që Françesku do ta kremtojë enkas për këta mysafirë, për Papën më të nderuarit e Jubileut, të cilëve u kërkoi ndjesë, në emër të atyre të krishterëve, që i kanë harruar”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.