2016-11-11 19:00:00

Françesku në Ponte Nona, tek meshtarët që e kanë lënë meshtarinë


Sot pasdite, në orën 15.30, Papa Françesku u nis nga Shtëpia e Shën Martës, për të shkuar në Ponte di Nona, lagje në rrethinat e skajshme të Romës lindore. Në një apartament, takoi shtatë familje, të gjitha të formuara nga të rinj që, gjatë viteve të fundit, e lanë meshtarinë. Takimi u zhvillua në kuadrin e “të Premteve të Mëshirës”.

Ati i Shenjtë deshi t’u ofrojë një shenjë afërsie e dashurie këtyre të rinjve, që zgjodhën një rrugë shpesh të padëshiruar nga sivëllezërit meshtarë e edhe nga të afërmit e tyre. Pas disa vitesh kushtuar shërbesës meshtarake në famulli, ndodhi që vetmia, moskuptimi, lodhja nga angazhimi i madh  i punës baritore, e vunë në krizë udhën e zgjedhur në fillimet e shërbesës meshtarake. E atëhere menduan se nuk e kishin zgjedhur rrugën e duhur.

Papa i takoi pikërisht këta të rinj. Hyrja e tij në apartament u prit me entuziazëm të madh: fëmijët e tyre u mblodhën rreth Papës në pritje të një ledhatimi, ndërsa prindërit i ndiqnin me një emocion të dukshëm. Vizita e Françeskut u vlerësua jashtëzakonisht nga të pranishmit, që ndjenë jo gjykimin e Atit të Shenjtë për rrugën e zgjedhur, por afërsinë e tij e dashurinë e pranisë së tij.

Koha kaloi shumë shpejt. Papa dëgjoi me vëmendje historitë e tyre dhe procedimet juridike të secilit rast. Me fjalë atërore, i siguroi të gjithë për miqësinë e tij e për interesimin personal. Ishte një shenjë e prekshme mëshire për kë jeton në situata të vështira. Tregoi edhe një herë se askush nuk duhet të mbetet pa dashurinë dhe solidaritetin e barinjve.

Vizita përfundoi rreth orës 17.20, kur Papa mori përsëri rrugën e kthimit për në Vatikan.

E bashkë me vizitën, përfunduan edhe “Të Premtet e Mëshirës”, të cilat Papa i nisi që nga fillimi i Jubileut: në janar vizitoi një shtëpi pushimi për pleq e të sëmurë rëndë në Torre Spaccata; në shkurt, një bashkësi për të droguar në Castelgandolfo; në mars (e Enjtja e Madhe), Qendrën e strehimit për refugjatë (CARA) të Castelnuovo di Porto; në prill, refugjatët dhe emigrantët e Ishullit të Lesbos; në maj, bashkësinë “Chicco” per njerëz me të meta të rënda mendore në Ciampino; në qershor, dy bashkësi romake për meshtarë të moshuar e të vuajtur. Në korrik, gjatë shtegtimit në Poloni, Papa e kaloi “Të Premten e Mëshirës” duke u lutur në heshtje në  Auschwitz-Birkenau, duke vizituar spitalin pediatrik të Krakovit e duke ndjekur Udhën e Kryqit me pjesëmarrësit e DBR-së, ku ishin të pranishëm edhe të rinj irakianë, sirianë e të ardhur nga zona të tjera, të njohura për vështirësi nga më të ndryshmet, nga lufta, tek fatkeqësitë e natyrës. E, në gusht, Ati i Shenjtë ishte në “Bashkësinë Papa Gjoni XXIII”, që strehon gra të çliruara nga skllavëria e prostitucionit; ndërsa në shtator, vizitoi  një Repart të neonatologjisë dhe një Hospice për të sëmurë në prag të vdekjes, në Romë. Së fundi, në tetor, Ati i Shenjtë ishte në  “Fshatin  SOS”, një shtëpi-familje, në Romë, që strehon fëmijë në kushte të rënda personale, familjare e shoqërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.