2016-11-09 17:24:00

Sivjet në Shën Pjetër, Bredhi i Krishtlindjes, trentin, Shpella e Betlehemit, malteze


Më 9 dhjetorin e ardhshëm, në orën 16.30, në Sheshin e Shën Pjetrit do të përurohet Shpella e Betlehemit e, njëkohësisht, do të ndriçohet edhe Bredhi i Krishtlindjes. Njoftimin e jep një komunikatë e Governatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit. Sivjet Shpella e Betlehemit dhe Bredhi do të ndriçohen që nga pasditja e përurimit, deri natën e së dielës, 8 janar 2017, ditë në të cilën përkujtohet Pagëzimi i Zotit e, në liturgji, përfundon edhe Koha e Krishtlindjes.

Pema e Krishtlindjes, një bredh i kuq, 25 metra i gjatë, 75 centimetra i trashë, është dhuratë e Komunës Scurelle-Foreste del Lagorai, Provinca autonome e Trentos. Në çastin e prerjes, parashikuar për të diel, 13 nëntor, fëmijët e shkollës fillore vendase do të mbjellin rreth 40 fidane bredhash, pak më larg se vendi i bredhit fatlum, ku në vjeshtën e kaluar u prenë disa drunj të prekur nga një parazit. Pas prerjes, druri vigan do të nisë shtegtimin drejt luginës me një helikopter të Ushtrisë Italiane, në bashkëpunim me  Mbrojtjen Civile të Trentos e pastaj,  do të ngarkohet mbi një Tir, që do ta sjellë në Romë. Do të arrijë në kryeqytet natën ndërmjet 23 e 24 nëntorit e, me ndihmën e personelit të Drejtorisë së Shërbimeve Teknike të Kopshteve të Vatikanit, do të lartohet në Sheshin e Shën Pjetrit.

Shpella e Betlehemit do të jetë dhuratë e kryedioqezës dhe qeverisë së Maltës, të cilët vitin e kaluar shpallën enkas një konkurs ndërmjet artistëve vendas. Boca e zgjedhur nga komisioni maltez, është e artistit Manwel Grech, nga Gozo. Paraqet peizazhin maltez, aktitekturën dhe ndërtimet vendase,  florën e faunën lokale. Shpella është 17 metra e gjerë, 12 e thellë, 17 metra e gjatë. Personazhet janë të veshur me rroba tipike  malteze e të pajisur me instrumente muzikore. Banorët e kësaj Shpelle sivjet do të jenë 17, pa llogaritur gjënë e gjallë. I pranishëm në Shpellë, Kryqi i Maltës,  e edhe një barkë, “luzzu”, tipike për arkipelagun maltez, që simbolizon jo vetëm traditën, peshkimin e vetë jetën, por edhe realitetin e emigrantëve, të cilët lundrojnë pikërisht në këto ujëra, me gjitfarë mjetesh të rastit, për të arritur në Itali.

Sivjet Bredhi do të stoliset përsëri me xhingla, realizuar nga fëmijët, që mjekohen në repartet onkologjike të disa spitaleve italiane. Edhe ndriçimi  do të jetë risi, posaçërisht për mbrojtjen e ambientit: Bredhi do të ndriçohet nga 18.000 llambushka me teknologji led, nga të cilat 1.400 me efekt shkëndije, me peshë 140 kilogram e kosum vetëm 1,7 K.W.

Paraditen e 9 dhjetorit delegacioni trentin e ai maltez, së bashku me disa nga fëmijët, që realizuan stolitë e bredhit, do të priten në audiencë nga Ati i Shenjtë, për paraqitjen zyrtare të dhuratave.     








All the contents on this site are copyrighted ©.