2016-11-09 15:21:00

Papa kujton lotët e të burgosurve kur e ndjejnë veten të mirëpritur


Një ftesë e fuqishme për të qenë mjete të mëshirës së Zotit ndaj atyre që gabojnë, si të burgosurit, e edhe ndaj njeriut të vetmuar, të  sëmurë. E drejtoi Papa gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar përsëri veprave të mëshirës. Françesku kërkoi që i burgosuri të mos tregohet me gisht, sepse i dënuar, duke kujtuar edhe se çfarëdo faji të ketë bërë, Zoti vijon ta dojë gjithnjë! Ka mëshirë për të.

Një mëshirë, që shprehet me vepra, me ndihmën ndaj të sëmurëve e me vizitat tek ata, që janë në burg. Kjo, edhe zemra e katekizmit  të Papës. Duke u nisur nga fragmenti ungjillor, në të cilin Jezusi shëron vjehrrën e Simonit, Ati i Shenjtë u kërkoi besimtarëve t’i ndajnë me njëri tjetrin edhe vështirësitë. Jezusi - kujtoi - në jetën e tij të përditshme, takohet vazhdimisht me të sëmurët që, ashtu si të burgosurit, nuk mund ta gëzojnë plotësisht lirinë e tyre. E pikërisht kur na mungon liria, atëhere kujtohemi sa e çmuar është – nënvizoi Papa - pa harruar se Jezusi na dhuron gjithnjë lirinë, që buron nga takimi me Të, të cilën nuk mund ta errësojnë as kufizimet e sëmundjes e as kushtet e qelisë.

Nuk duhet të gjykojmë, por të jemi  mjete mëshire

Françesku kërkon të mos i gjykojmë ata që gabuan, por t’i mbajmë afër:

“Të vizitosh njerëzit e burgosur është vepër mëshire që, posaçërisht sot, fiton një vlerë të veçantë. Askush të mos i tregojë me gisht të tjerët, por të gjithë  të bëhemi mjete mëshire”.

Në zemrën e Papës, lotët e të bugosurve, kur ndjehen të mirëpritur

Natyrisht, nëse ndokush është në burg, është aty pse gaboi. E aty kryen edhe dënimin - kujtoi Papa – por pa harruar se Zoti vijon ta dojë gjithnjë. E kush mund të hyjë në fshehtësinë e ndërgjegjes së tij, për të kuptuar çka provon? Kush mund t’ia kuptojë dhimbjen, brerjen e ndërgjegjes? - pyeti Françesku, me fjalë ngarkuar plot me dhembshuri:

“Mendoj për të burgosurit... mendoj shpesh, i kam në zemër” – theksoi - duke shtuar se i krishteri është i thirrur t’i qëndrojë pranë atij që gabon, ta ndihmojë për ta kuptuar të keqen e kryer. E të bëjë ç’është e mundur për t’ia rikthyer dinjitetin, duke e pasur mirë parasysh se heqja e lirisë është një nga mungesat e mëdha, që shkakton zvetënimin e njeriut, edhe për shkak të kushteve shpesh pa pikën e humanitetit, në të cilat jetojnë këta njerëz.

Të vizitohen të sëmurët: spitalet “katedrale të dhimbjes”

Në zemër të Papës edhe të sëmurët. Për të sëmurin, vizita është ilaçi më i mirë: një buzëqeshje, një ledhatim, një shtrëngim dore, janë gjeste të thjeshta, por tepër të rëndësishme për atë, që ndjehet i braktisur e i harruar nga gjithë bota - theksoi Papa. Prej këndej, kujtoi se t’i vizitosh të sëmurët në spital është vepër e çmuar vullnetariati e, po të bëhet në emër të Jezusit, edhe shprehje e dukshme dhe e frytshme e mëshirës”.

Duke kujtuar, më pas, se edhe Jezusi e Apostujt ishin të burgosur,  mendimi i Papës shkoi tek Jubileu i të burgosurve, që do të kremtohet të dielën e ardhshme.

Të jeni mjete të mëshirës, përsëriti Ati i Shenjtë në përfundim të audiencës. Kjo na bën mirë edhe ne. Sepse veprat e mëshirës janë sa të lashta, aq edhe aktuale. Mjafton të kujtojmë se Jezusi e la përgjysëm atë. që po bënte e shkoi të vizitonte vjehrrën e Pjetrit. Sepse mëshira është akt konkret:

“Të gjithë mund të jemi mjete të mëshirës së Zotit, e kjo na bën mirë ne e edhe të tjerëve, sepse mëshira shprehet me një gjest, me një fjalë, me një vizitë, e kjo mëshirë është akt që ia rikthen gëzimin e dinjitetin, atij që e ka humbur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.