2016-11-09 14:22:00

Kushtimi i Bazilikës Lateranense. Papa: duajeni Kishën!


Në audiencën e përgjithshme, duke kujtuar se sot Kisha kremton Kushtimin e Bazilikës Lateranense, Katedrale e Romës, Papa i ftoi besimtarët të luten për Pasardhësin e Shën Pjetrit, duke u drejtuar këtë përshëndetje të rinjve, të sëmurëve dhe të sapomartuarve:

“Lutuni për Pasardhësin e Shën Pjetrit Apostull, të dashur të rinj, që t’i përforcojë gjithnjë vëllezërit në fe;

ndjejeni afërsinë e Papës në lutje, të dashur të sëmurë, për t’i bërë ballë provës së sëmundjes;

mësojani me thjeshtësi fenë fëmijëve tuaj, të dashur bashkëshortë të rinj, duke u ushqyer dashurinë për Kishën e Barinjtë e saj”.

Kisha, gjithnjë në reformim

Me rastin e Meshës, kryesuar në Shën Martë pikërisht tri vjet më parë, më 9 nëntor 2013, në Festën e Kushtimit të Bazilikës Lateranense, Papa Françesku pati komentuar leximet e propozuara nga liturgjia: “tri ikona” - pati thënë - që flasin për Kishën. Nga Leximi i parë i Ezekielit dhe nga Psalmi 45, ikona e lumit me ujë, i cili gurgullon nga Tempulli e gazmon qytetin e Zotit, figurë e hirit, që e mbështet dhe e ushqen jetën e Kishës. Nga Leximi i dytë, shkëputur prej Letrës së parë të Shën Palit drejtuar Korintianëve, ikona e gurit, që është Jezu Krishti, themel, mbi të cilin ngrihet Kisha. Nga Ungjilli i pastrimit të Tempullit, ikona e reformës së Kishës:

“Ecclesia semper reformanda” (Kisha gjithnjë në reformim), sepse  anëtarët e Kishës janë gjithnjë mëkatarë e kanë nevojë për pendesë. Papa pati përfunduar duke i ftuar besimtarët  të luten, që Kisha të mund ta bëjë të rrjedhë ujin e hirit, të jetë gjithnjë e themeluar mbi Krishtin, t’i qëndrojë përherë besnike e anëtarët e saj ta lënë Jezusin t’i kthejë vazhdimisht në rrugën e Tij. 

Historia e Bazilikës së Shën Gjonit

Bazilika Lateranense, e njohur si “nënë e të gjitha Kishave të “Urbe et Orbe” (Romës e Botës), është Kisha e parë në botë e kushtuar publikisht. Perandori romak, Kostandini, si u kthye në fenë e krishterë, i dhuroi Papës Pallatin e Lateranit.

Bazilika u kushtua në vitin 324 (ose 318), nga Papa Silvestri I e iu kushtua të Shenjtnueshmit Shëlbues. Në shekullin IX, Papa Sergji III, ia kushtoi edhe Shën Gjon Pagëzuesit, ndërsa në shekullin XII, Papa Lucio II shtoi edhe Shën Gjonin Ungjilltar.

Që nga shekulli IV e deri në përfundim të periudhës avinjoneze (shek XIV), kur papati u zhvendos në Avinjon të Francës, Laterani ishte selia e  vetme papnore. Patriarkia – apo banesa lateranense (selia e lashtë papnore) - ngjitur me Bazilikën, qe rezidenca e papëve për gjithë mesjetën. Laterani, pra, që nga kjo periudhë e deri në shekullin XIV, ishte seli e simbol i papatit, e, prej këndej, zemër e jetës së Kishës. Këtu u mblodhën edhe pesë Koncile ekumenike. Në vitin 1378, me zgjedhjen e Gregorit XI, mori fund periudha avinjoneze. Gregori XI e solli rishtas papatin në Romë, por, me qenë se Laterani ishte në gjendje të keqe, Papët, që aso kohe e deri më sot, zgjodhën si seli Vatikanin.








All the contents on this site are copyrighted ©.