2016-11-09 13:14:00

Kardinali Parolin uron që Trump të punojë për paqen në botë


Për zgjedhjen e Donald Trump foli edhe sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i pyetur nga gazetarët, në përfundim të përurimit të Vitit akademik të Universitetit Papnor Lateranens Ta dëgjojmë, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Para së gjithash, pranojmë me respekt vullnetin e shprehur nga populli amerikan me këtë ushtrim të demokracisë, që më thonë se u karakterizua edhe nga një rendje masive drejt kutive të votimit. E pastaj i bëjmë urimet presidentit të ri, për një qeverisje vërtet të frytshme dhe e sigurojmë për lutjen tonë, që Zoti ta shndrisë e ta mbështesë  në shërbimin ndaj atdheut, natyrisht, por edhe në shërbimin ndaj mirëqenies e paqes në botë. Besoj se sot ndjehet nevoja të punojnë të gjithë për ta ndryshuar situatën botërore, situatë me copëzime të rënda, me konflikte të rënda.

Pyetje: - Dihet se në të kaluarën Papa pati bërë një koment; “Kush ndërton mure, nuk është i krishterë…”. Pastaj qe një sqarim, lidhur me temën e emigracionit….

Përgjigje: - Do të shikojmë sesi do të lëvizë presidenti. Normalisht thuhet: tjetër është të jesh kandidat, tjetër të jesh president, të kesh përgjegjësi. E më duket se në këtë këndvështrim, edhe nga sa kam dëgjuar, ndonëse nuk jam thelluar aq shumë, presidenti i ardhshëm është shprehur me terma prej lideri… Pastaj, lidhur me temat e veçanta, do të shikojmë çfarë rruge do të zgjedhë e, mbi këtë bazë, do të mund  të japim edhe gjykimin. Më duket  tepër shpejt për të dhënë gjykime.

Pyetje: - Diçka për Lectio magistralis mbajtur në përurimin e këtij viti të rëndësishëm akademik…

Përgjigje: - Po, unë do të trajtoj diplomacinë vatikanase në rrethanat e reja globale, posaçërisht lidhur edhe me atë që e thashë më parë, me nevojën për të gjetur formula të reja. Me gjasë diplomacia sot, diplomacia papnore, edhe nga brenda, është e thirrur të gjejë formula të reja, për t’i dhënë përgjigje problemeve të reja, që shtrohen për zgjidhje nga bashkësia ndërkombëtare. 








All the contents on this site are copyrighted ©.