2016-11-09 12:55:00

Imzot Lucian Avgustini i jep emrin një shkolle dhe bëhet "Nderi i Qarkut"


Këshilli Bashkiak Vau-Dejës, me vendim nr. 44 të datës 22.08.2016, i akordoi Shkollës së Mesme të Bashkuar të qytetit Vau-Dejës, titullin “Mons. Lucjan Avgustini”. Ceremonia e rastit u mbajt në Ipeshkvinë e Sapës, në praninë e shumë autoriteteve fetare, civile e shtetërore, si dhe familjarëve të tij. Më hollësisht të dëgjojmë bashkëpunëtoren tonë, Violeta Marashi...

Në nderim të figurës së Mons. Lucjan Avgustinit, ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së vendlindjes së ipeshkvit tonë të dashur, Ferizaj, z. Muharrem Svarqa. Administratori Dioqezan i Sapës, dom Simon Kulli në fjalën e hapjes ju uroj mirëseardhjen të gjithëve në këtë ceremoni në nder të Ipeshkvit tonë të paharruar, e në të njëjtën kohë falenderoi Zotin që na dhuroi Imzot Lucjanin, ia dhuroi kësaj dioqeze dhe mbarë kombit Shqiptar. Do dëshironim ta kishim më tepër në mesin tonë tha ai, por duhet të pranojmë edhe planet dhe vullnesën e Zotit. Jeta e tij  qe e shkurtër, por vërtet la gjurmë të pashlyeshme.

Ndërsa shoku i fëmijërisë dhe gjithë jetës së tij, ipeshkvi i Kosovës, Mons. Dodë Gjergji e vlerësoi shumë këtë titull që shkolla e edukimit të brezave të rinjë do të mbajë tani e tutje.

Në emër të Bashkisë, Kryetari i saj z. Zef Hila e konsideroi këtë ditë të veçantë pasi kjo shkollë emërohet me emrin e një prej personaliteteve më të spikatura të komunitetit tonë dhe të mbarë Kombit Shqiptar, Mons. Lucjan Avgustini, duke e konsideruar këtë titull si një falenderim të vogël ndaj veprës së madhe dhe të paharruar të mons. Lucjan Avgustinit.

Njeriu i fesë, Mons. Lucjani ishte fryt i një familjeje shebullore ku u rrit dhe u edukua. Ndaj në emër të familjes, vëlla i tij Lekë Avgustini, gjatë fjalës përshëndetëse tha se për secilin nga ne, familjarët e tij, ky emërtim që Bashkia i jep Shkollës së Mesme në Vau-Dejës, qytetin ku ai shërbeu me shumë zell dhe devotshmëri, është nder i madh, deri edhe krenari, tek prekim konkretisht, se si mundi, djersa, sakrifica e vëllait tonë në shërbim të Zotit, Kishës dhe njeriut, vazhdon të lërë gjurmë, fryte paqeje dhe dashurie në këtë tokë shqiptare shumë të dashur nga ai.

Tashmw, shkolla e këtij qyteti do mbajë emrin e tij; kjo brezni do e kujtojë me gëzim bariun e tyre por edhe gjenerata e nxënësve dhe studentëve që e njohën Monsinjorin do u dëshmojnë gjeneratave të reja kujtimet dhe dëshmitë e mrekullueshme me Imzot Lucjanin. Kështu, kujtimi i tij do jetë i vulosur përgjithmonë në zemrat e këtij populli.

Mons. Lucjan Avgustini, një pjesë të jetës së tij meshtarake prej 12 vitesh ia kushtoi shërbimit pastoral në Kishën Katedrale të Dioqezës së Shkodrës, duke mbuluar shumë role në këtë dioqezë. Kontributi i tij ka qenë shembullor duke dëshmuar kulturën e paqes dhe të dialogut, si të vetëm kritere të bashkëjetesës fetare. Pikërisht për këtë, me praninë e saj Kryetarja e Qarkut të Shkodrës, znj. Greta Bardeli, u dorëzoi familjarëve të Imzot Avgustinit, titullin më të lartë që ky Këshill mund të akordojë, “Nderi i Qarkut” Shkodër (Post Mortum), me Motivacionin “Për ngjalljen e shpresës dhe të gëzimit tek personat, jeta e të cilëve përballet me vështirësi, vuajtje dhe mjerim; përmes kujdesit atëror ndaj tyre, duke zgjuar tek të gjithë ndërgjegjësimin ndaj dinjitetit të jetës, si burim që ndërton rrugën e qytetërimit të dashurisë dhe tharm i humanizmit shoqëror”








All the contents on this site are copyrighted ©.